skip to Main Content

Librat që nuk keni pse t’i lexoni

Një argument kundër klasikëve

Librat më të mirë të të gjitha kohëve; libra që duhet t’i lexoni patjetër; libra që do t’ju ndryshojnë jetën… kemi parë lista gjithfarësh. Çdo publikim serioz të paktën një herë ka nxjerrë një listë librash. Çfarë nuk më kishte ndodhur të shihja deri para ca ditësh ishte një listë me libra klasikë që nuk ia len t’i lexosh. Sigurisht që shfaqjet e mendimeve individuale nëpër rrjete sociale sot nuk janë të rralla dhe nuk ka asgjë të keqe në të menduarin se një libër i çmuar për masën nuk është edhe aq për ty. Por një listë të tillë e nxjerr një media e madhe dhe librat në të janë zgjedhur nga editorë të rëndësishëm.

Revista e njohur GQ ka publikuar së fundmi listën e librave që nuk keni pse t’i lexoni pasi nuk janë aq të mirë sa ç’thuhet, madje i ka zëvendësuar me tituj të terë që mund të lexohen në vend të tyre. Zgjedhjet e tyre i kanë mbështetur në argumentet se këta libra janë racistë, seksistë ose shumë, shumë të mërzitshëm.

 

Aventurat e Hakëlbëri Finit – Mark Tuein

Kjo zgjedhje më zemëroi, sepse është një libër shumë i dashur për mua dhe ndikimi i Tuein në romanin amerikan është i padiskutueshëm. Argumenti për përfshirjen e këtij klasiku në këtë listë është:

“Mark Tuen ishte racist. Mjafton të lexosh “Aventurat e Hakëlbëri Finit” për ta kuptuar. Ai i përkiste kohës në të cilën jetoi, kështu që më mirë ta lëmë atje. Nuk kemi nevojë për të”.

Nuk do t’i hyj fare pjesës nëse ishte apo jo Tuein racist apo edhe thjesht njeri problematik (shumica e gjenive janë). Lëvizjet kundër racizmit, seksizmit, abuzimit janë fuqizuar shumë së fundmi, fatmirësisht. Megjithatë jam kundër disa propozimeve radikale, siç është rasti i thirrjes për mosleximin e Tuein sepse paskërka qenë racist, apo raste të tjera, sidomos në industrinë muzikore, ku diskografi të tëra muzikantësh janë bllokuar nga platformat muzikore. Nëse vijohet me këtë mënyrë, ju siguroj se pjesa më e madhe e muzikantëve më të mirë të të gjitha kohërave nuk do të njihen nga brezi i ardhshëm për një kohë shumë të shkurtër. E njëjta gjë vjen për çdo formë arti.

 

Alkimisti – Paolo Coelho

Me 208 faqe, “Alkimisti” është 207 faqe më i gjatë se ç’duhet. Të paktën kështu mendon një nga editorët e GQ-së, sipas të cilit libri është thjesht një endje nëpër shkretëtirë e një njeriu në kërkim të zbulimit të legjendës personale.

 

Plaku dhe deti  – Ernest Hemingueji

“Im atë e donte këtë novelë, kështu që u përpoqa edhe unë. Por nuk ia arrita. Nuk më lë asnjë mbresë. Ky libër më lë kaq indiferent, sa e shumta vijoj të shpresoj që peshku të shpëtojë pa shumë dëmtime”.

 

Drakula – Bram Stoker

Përveç Frankeshtajnit të Shellit nuk imagjinoj dot një libër tjetër që të zëvendësojë Drakulën. Dhe mesa duket as editori i GQ-së, që nuk ka dhënë asnjë argument pse njerëzit nuk duhet ta lexojnë këtë libër. “Drakula” ndihmoi në ndërtimin e një zhanri të tërë dhe tashmë është kthyer në një fenomen kulturor.

Thertorja 5 – Kurt Vonnegut

Në aplikacionet online që shërbejnë për njohjen e njerëzve me njëri-tjetrin, shumica e meshkujve, të paktën në SHBA, listojnë gjithmonë “Thertorja 5” në listë e librave që kanë lexuar. Por redaktorja e GQ-së shkruan se nuk do të preferonte të dilte më një burrë që këshillohet nga Vonnegut. Në “Thertorja 5”, femrat e pakta në roman vdesin herët dhe janë ose bushtra ose thjesht yje pornoje.

Përgatiti: E. Qose