skip to Main Content

Pabarazia në letërsi

Librat e shkrimtareve femra kushtojnë më pak

Gati dy shekuj më parë, motrat Brontë i botuan veprat e tyre me pseudonime mashkullore, sepse ishte më e lehtë në atë kohë për shkrimtarët meshkuj. Kohët kanë ndryshuar, sigurisht, megjithatë, ashtu sikurse në çdo fushë, edhe në letërsi ka ende pabarazi gjinore, të shprehura në elemente nga më të ndryshmet. 
Dhe një studim i fundit i universitetit të Nju Jorkut ka treguar se librat e shkruar nga gratë kushtojnë më pak se librat e shkruar nga kolegët e tyre meshkuj. Sipas një artikulli të “The Guardian”, në studim u morën më shumë se 2 milionë libra të botuar mes viteve 2002-2012 dhe rezultoi se librat e shkruar nga shkrimtaret gra, të botuar nga shtëpitë e mëdha botuese, ishin mesatarisht 45 për qind më lirë se librat e shkruar nga meshkujt.
Sipas autorëve të studimit, gratë janë dominante në zhanrin e romancës dhe në përgjithësi librat romancë kushtojnë më pak se ata të llojeve të tjera. E megjithatë, edhe brenda zhanrit ka një diferencë prej gati 9 për qind në çmimin e librave romancë të shkruar nga burrat dhe atyre të shkruar nga gratë.
Një gjetje interesante e studimit ishte se në librat e botuar në mënyrë individuale në shtëpi botuese të vogla, ku vetë autorët vendosin për çmimin e librave të tyre, diferenca në çmim nuk ishte e madhe. Sigurisht, gratë e vlerësojnë veten më shumë seç i vlerëson tregu!
Në fund, ky studim disavjeçar tregoi atë që në fakt thellë-thellë e dimë: shkrimtarët meshkuj, sidomos shkrimtarët e bardhë meshkuj, janë më të privilegjuar dhe respektohen më shumë për punën e tyre, pavarësisht cilësisë së asaj që botojnë.

Elona Qose