skip to Main Content

Të fyer e të poshtëruar/Ja pse, të paktën një hërë në jetë, duhet të lexoni një rus

„Kryesorja e kryesoreve:Vetëm përmes sinqeritetit  dhe drejtësisë arrihet qëllimi.“ -F.M.D

Do të ishte e padrejtë të fajësoje këtë apo atë brez për paaftësinë që e karakterizon në përzgjedhjen e librave, kjo jo sepse me gamën e madhe të shumëllojshmërisë së tyre ata s’dinë as nga t’ia fillojnë, por sepse thjesht nuk e nisën këtë sagë me  veprën e duhur.

Dostojevski, autor i veprave të mirënjohura si : “Idioti”, “Adoleshenti”, “Kujtime nga shtëpia e të vdekurve”(që u shkrua gjatë kohës që ai qe i internuar ne kampet siberiane),”Vëllezërit Karamazov” dhe “Krim e Ndëshkim”(dy vepra që e patën burimin e fymëzimit  nga përvoja jetësore reale e shkrimtarit që nga koha e burgosjes), është rusi më i famshëm , sigurisht që i dyti pas Putinit, për momentin.

Ai besoi në talentin dhe mirësinë e mendjes njerëzore, saqë zhgënjimin e madh që pësoi nga ky besim i tepruar për qenien më të rrezikshme mbi tokë, kaq komplekse dhe të paparashikueshme, e hodhi në faqet e romanit të parë që duhet të lexojë çdo pasionant i letërsisë,  “Të fyer e të poshtëruar“.

“E pse duhej pritur nga tjetri më tepër nga ç’mund të jepte? Dhe për natyra të tilla, zhgënjimi është udhëtar i pandashëm. Për vetë këta, më e mira e të mirave do të ishte të qëndronin kurdoherë të strukur në ato qoshet e tyre, dhe kam vënë re që e pëlqejnë shumë strukjen, sa shkojnë deri në dalldi.“

E veçanta dhe papërsëritshmëria e Dostojevskit qëndron në përshkrimin e çartur që iu bën ndjesive. Personazhet janë kaq të ndryshëm nga  njëri-tjetri por që njëkohësisht janë mishërim i çdo karakteri njerëzor, nga ata që mund t’i hasësh kudo, në rrugë, në dyqan, në zyrë, në ballo, me virtytet me të lartësuara tek nënat dhe me veset më të përbuzura te etërit, dashnorët, princat. Në fjalitë e tij të tejzgjatura, me kaq shumë presje, ai analizon, filozofon, qan dhe qesh me historitë  dinamike e të paparashikueshme të personazheve të vet fatkeq.

Një lexues i rregullt i këtij autori apo qoftë edhe i këtij zhaneri, do ta kishte tepër të vështirë të përzgjidhte të preferuarin midis librave të Dostojevskit. Arsyeja pse “Të fyer e të poshtëruar” është rruga më e shëndetshme drejt parajsës ruse, vjen nga tema qëndrore e librit, por ne thelb jo më e rëndësishmja. Dashuria e të rinjve, personazhe të librit, do t’ju ndihmojë që ndërkohë që ushtroni veten me leximin e librave të mirë, keni dhe një rrjedhë paralele ngjarjesh me të cilën mund të mereni në qoftë se nuk kuptoni asnjë nga qëllimet kryesore të veprës, gjë që ka jo pak probabilitet të ndodhi./Bota.al

 

This Post Has One Comment
  1. E kaluara eshte duke shkuar drejt zeros! Mesimet e njerezve te medhenj po humbin rendesine e tyre! Merni moralin P.SH. Marali ka vdekur! Korrupsioni ka mberthyer politiken boterore! Dinjiteti i njriut ka arritur fundin! Paraja flet kudo pa pyetur se si fitohet! Makiavelizmi behet hapur tashme! Ku po shkojme?

Leave a Reply