skip to Main Content

E ka thënë Mark Tueini… apo jo?

 

Citatet në kohën e rrjeteve sociale

Nëse Ajnshtajni, Tuein apo Hemingueji do të ishin gjallë do të ngrinin supet dhe mbase do të bënin edhe ndonjë batutë për numrin e madh të shprehjeve që qarkullojnë në internet dhe që gabimisht u atribuohen atyre.

Në ditën e lindjes së Abraham Lincoln, Komiteti Kombëtar Republikan në SHBA, ndau me ndjekësit e tyre në rrjete sociale një aforizëm që i atribuohet pikërisht ish-presidentit amerikan: “Në fund të fundit, vitet në jetën tuaj nuk kanë aq rëndësi sa jeta në këto vite”.
Çështja është që nuk ka asnjë të dhënë të vetme se Lincoln e shkroi ndonjëherë një shprehje të tillë.
Në kohën e rrjeteve sociale, ky është bërë një fenomen i njohur: njerëzit ndajnë shprehje të ndryshme duke ua atribuuar njerëzve të njohur dhe gabimet në këto raste nuk janë të rralla.

Një nga autorët që i atribuohen më shpesh fraza të tillë është Mark Tuein. Kjo ka një arsye. Tuein njihet gjerësisht për një sens të hollë humori dhe nëse njerëzit lexojnë një frazë që i atribuohet atij, menjëherë përgatiten të vënë buzën në gaz.

Pastaj, ka edhe raste kur vetë autorët nuk e mbajnë mend se e kanë shkruar diçka në të kaluarën. Një gjë e tillë duhet ta ketë vënë shumë në siklet autoren Anne Rice, e cila gabimisht i atribuoi Franz Kafkën një frazë të sajën.

“Mos u përkul. Mos u mundo ta bësh çdo gjë logjike. Mos e edito shpirtin tënd…” ishte në parathënien e një koleksioni historish të shkurtra të Kafkës. Autorja po shkruante se sa e kishte frymëzuar Kafka; është perceptimi i saj se si punonte mendja e Kafkës kur ai ishte gjallë, por disa njerëz që lexuan përmbledhjen kujtuan se në fakt ishte një frazë e marrë nga krijimtaria e Kafkës.
Çuditërisht, mbi një dekadë më vonë, edhe vetë Rice e kishte harruar një gjë të tillë dhe e kishte publikuar në faqen e saj të Facebook-ut me emrin e Kafkës.
Jam e sigurt që nëse Ajnshtajni, Tuein apo Heminguej të ishin gjallë do të ngrinin supet dhe mbase do të bënin edhe ndonjë batutë për numrin e madh të shprehjeve që qarkullojnë në internet dhe që gabimisht u atribuohen atyre.
Po në rastin kur vetë autori harron çfarë ka thënë apo ka shkruar si i bëhet?

Elona Qose