skip to Main Content

Fakte interesante mbi “Lartësitë e stuhishme”

“Lartësitë e stuhishme” është romani i vetëm i Emili Brontës. Marrëdhënia toksike mes Hithklifit dhe Kethit tronditi kritikët dhe lexuesit kur u botua, por ndër vite u shndërrua në një nga historitë më të njohura e pasionante të dashurisë.

 

Emili pagoi vetë për botimin e librit

Pothuajse të gjithë botuesit e kohës refuzuan botimin e librit. Pa rrugëdalje, Emili dhe e motra, Ana, paguan një shumë të konsiderueshme për atë kohë prej 50 paundësh për të botuar në një volum “Lartësi të stuhishme” dhe “Agnes Gray”. Meqë gratë shkrimtare nuk respektoheshin, motrat Brontë përdornin pseudonime mashkullore: Ellis Bell për Emilin dhe Acton Bell për Anën. (Po atë vit, Sharlota botoi “Xhejn Er” nën pseudonimin Currer Bell.)

 

Nuk është roman dashurie

Edhe pse njerëzit përgjithësisht e karakterizojnë si një histoi dashurie, “Lartësitë e stuhishme” më shumë është një roman gotik sesa romancë. Hithklif, më shumë se një hero romantik, është një abuzues obsesiv. Marrëdhënia e tij me Kethin është komplekse, shqetësuese dhe shumë problematike.

 

Kritikët e bënë copë

 “Lartësitë e stuhishme” tronditi kritikët me personazhet pasionante, dhunën dhe rrëfimin amoral. Ndërsa pak kritikë të vlerësuan aftësinë krijuese të autores, shumica e bënë copë në shkrimet në kohës, duke e cilësuar si një përzierje e shthurjes vulgare dhe horrorit.

 

Emili vdiq me mendimin se libri i saj ishte një dështim

“Lartësitë e stuhishme” u botua në dhjetor 1847. Një vit më vonë, në dhjetor 1848, Emili vdiq nga tuberkulozi në moshën 30-vjeçare. I vëllai kishte vdekur 2 muaj para saj, ndërsa njëra nga motrat, Ana, vdiq pas disa muajsh, në maj 1849. Deri kur vdiq, libri cilësohej një dështim, ndryshe nga libri i së motrës. Sharlotës, “Xhejn Er”, që ishte një sukses i menjëhershëm.

Emili nuk e mori vesh kurrë se kishte shkruar një libër që do të kthehej në klasik dhe një nga librat më të mirë në historinë e letërsisë.

Elona Qose