skip to Main Content

Fjalë për të ndryshuar botën… thëniet që kanë bërë histori

“Në të vërtetë jemi ato që citojmë”, – ka thënë Geoffrey O’Brien, kritik letrar dhe kinematograf amerikan, gjithashtu poet dhe bashkëredaktor i “Library of America”.

“Bëj që zëri yt të dëgjohet” është një libër që ka mbledhur thënie të aktivistëve, artistëve, shkrimtarëve, politikanëve, vizionarëve dhe intelektualëve që kanë kontribuuar në luftën për progres dhe liri.

Që nga ftesa e Malcolm X, që është edhe titulli i librit, “Bëj që zëri yt të dëgjohet”, deri të bërtitja e Ken Loach, “Sfidohuni që të censuroheni”, frazat simbol për luftën për liri dhe të drejtat themelore peshojnë si gurë në letrën e hollë dhe marrin një domethënie të thellë kur lidhen, në faqet e fundit, me biografitë e autorëve të tyre, burra e gra që me thëniet e tyre vazhdojnë të bëjnë dritë mbi një të ardhme të pasigurt.

“Më falni për shqetësimin. Po mundohemi të ndryshojmë botën” – Anonim.

“Jemi këtu jo sepse duam të shkelim ligjet, jemi këtu sepse duam t’i bëjmë ligjet” – Emmeline Pankhurst.

Mbështetëse e flaktë e të drejtave të grave, Pankhurst u angazhua në fillim të viteve 19900 për votim universal. Në vitin 1903 themeloi “Women’s Social and Political Union”. Beteja për votën e grave e futi atë shumë herë në burg, një herë prej këtyre sepse hodhi një gur në dritaren e banesës së kryeministrit britanik. Në burg bëri grevë urie si formë proteste. Emmeline Pankhurst ndërroi jetë më 14 qershor 1928. Pak javë më vonë, më 2 korrik 1928, parlamenti anglez njohu të drejtën e grave për të votuar njësoj si burrat.

“Nuk mund t’i vini kangjella, zinxhirë apo dry lirisë së mendimit tim” – Virginia Woolf.

Në vitin e Depresionit të Madh, më 1929-n, Woolf publikoi “Një dhomë më vete”. Libri, i bazuar në një sërë leximesh të bëra nga shkrimtarja londineze në “Newnham College” dhe “Girton College”, të dyja shkolla femrash, është konsideruar një tekst feminist ku eksplorohet gjendja e femrës në një univers të dominuar nga burrat. Woolf thekson vështirësitë për edukimin e femrave, jo të pavarura financiarisht.

“Nevoja për të protestuar nuk do të ketë kurrë fund” – Chinua Achebe (1930-2013), shkrimtar dhe poet.

“Ose të jetojmë të gjithë në një botë dinjitoze ose asnjëri” – George Orwell, shkrimtar dhe aktivist.

I njohur për romanet që reflektojnë më së miri epokën moderne, edhe pse 70 vjet pas publikimit të tyre, George Orwell, pseudonim i Eric Arthur Blair, përveçse autor ishte edhe një aktivist kundër kolonizimit, fashizmit dhe stalinizmit. Në librin e vitit 1937, “The Road to Wigan Pier”, Orwell kritikoi bashkëkombësit anglezë se ishin hipokritë, sepse për të bërë të mundur që Anglia të kishte gjithë të mirat, qindra miliona persona në Indi jetonin në varfëri ekstreme. Orwell ishte përkrahës i një Anglie socialiste, ku nuk kishte pronë private dhe ndryshim klasash.

“Jo gjithçka me të cilën përballemi mund të ndryshohet, por asgjë nuk mund të ndryshohet nëse nuk përballemi me të” – James Baldwin.

Aktivist dhe shkrimtar, Baldwin ngriti shqetësimin mbi diskriminimin racor dhe seksual.

E. Qose