Jetoj si një grua!
Jetoj brenda trupit si një grua.
Me sytë venitur pagjumë
Netëve të gjata nën grindje fëmijësh,
Nën zhurmat gërvishëse të makinës
që veç teshave lan gjurmët e trishta.
Jetoj imagjinatës si një grua.
Ngjitem qiejve të kristaltë të agimeve
Mbledh aromën e lëndinave,
Mbledh magjinë e çdo rreze drite,
I kompozoj buqetë.
Cicërimat e zogjve mbi pemë
futen brenda shpirtit tim.
Rrjeta e mëndafshtë hedhur supeve i shoqëron.
Aty ku jetoj imagjinatës.
Jetoj realitetin, si një grua.
Më duhet të krihem
Të vishem bukur e stolisem.
Sytë lakmitarë nuk flenë kurrë…
Buzëqesh përballë ngërdheshjeve,
Pas çdo maske arrij tē njoh fytyrën e vërtetë
edhe pse heshtja më vret…
Muzgut, Dielli më pyet: A jetove sot?
Po, si një grua.
Ndaj mos harro,
më përshëndet nesër!
Melaize Gropa