skip to Main Content

“Komedia pa titull” e Lorkës përfundohet 80 vjet pas vdekjes së tij

80 vjet pasi u vra, një nga veprat që Federiko Garcia Lorka la pa përfunduar më në fund është përfunduar nga një shkrimtar tjetër dhe i është vënë edhe titull.
Lorka kishte shkruar vetëm një pjesë të asaj që njihej për vite të tëra si “Komedia pa titull” kur u vra në Granada, në gusht 1936. Pas 8 dekadash, poeti spanjoll Alberto Conejero e vijoi punën aty ku e la Lorka, duke shtuar dy akte dhe duke e pagëzuar me titullin “Ëndrra e jetës”.
“Është një vepër mbi rolin e teatrit përballë emergjencave sociale”, – thotë Conejero, duke shtuar se për vite të tëra ka qenë i obsesionuar pas kësaj vepre, por situata e tanishme politike e shtyu ta përfundonte.
“Përmbush rolin e teatrit në kohërat e krizave sociale dhe mendoj se është e domosdoshme tani”,- thotë ai.
Conejero shton se nuk ka ndryshuar asnjë presje nga pjesa e shkruar nga Lorka dhe se për ta përfunduar atë ka bërë vite të tëra studimi.
Conejero e pranon se nuk ishte një punë e lehtë, megjithatë shton se nuk është e drejtë që shumë njerëz mendojnë se Lorka është i paprekshëm, sepse vepra e tij është më e gjallë se kurrë.
Ndërkohë, Conejero është i bindur se “bashkëpunëtori” Lorka do ta vlerësonte punën e tij në përfundimin e kësaj vepre.

E. Qose