Letra Milenës… Franz Kafka i shkruan Milena Jesenskës
Milena Jesenska ishte e martuar kur, në vitin 1920, i shkroi Kafkës një letër ku i kërkonte të përkthente një nga librat e tij. Ajo letër ishte pikënisja e një korrespondence sa filozofike, aq edhe pasionante. Kafka vendosi t’i jepte fund marrëdhënies së tyre pasi Milena nuk pranoi të linte të shoqin. Pas vdekjes së Kafkës, letrat që shkrimtari i kishte dërguar Milena ia dha Max Brod-it, i cili i botoi në vitin 1952 me titullin “Letra Milenës”. Por letrat që Milena i dërgoi Kafkës nuk u gjetën, me shumë mundësi ishte shkatërruar.
Më poshtë është një prej letrave që Kafka i ka shkruar Milenës, ku shprehen të gjitha ndjenjat që ai përjeton:
“Sërish e shtunë. Ky shkëmbim letrash duhet të marrë fund, Milena, po na shkatërrojnë! Nuk mbahet mend se çfarë është shkruar apo përgjigjur, por gjithsesi ekziston gjithnjë ajo dridhja. E kuptoj shumë mirë mënyrën se si shkruan në gjuhën çeke, madje edhe qesh ndonjëherë, por zhytem në letrat e tua mes fjalëve dhe të qeshurave. Natyra ime është në përgjithësi ankthioze. Nuk arrij dot ta kuptoj se edhe pas letrave të dy ditëve më parë dëshiron ende të më takosh. E kuptoj lidhjen mes nesh (ti më përket mua, edhe pse nuk duhet të të shikoj më), e kuptoj edhe pse nuk bën pjesë në territorin konfuz të ankthit, por nuk njoh ndjenjën tënde ndaj meje, kjo i përket tërësisht ankthit. Dhe as ti nuk më njeh, Milena. Ajo që po ndodh është diçka monstruoze për mua, bota ime shembet dhe ringrihet dhe shikon se si mund të veprosh si duhet. Nuk ankohem për rënien, bota po shembej, ankohem për rindërtimin e saj, ankohem për forcat e mia të dobëta, ankohem për ardhjen në botë, ankohem për dritën e diellit. Si do të vazhdojmë të jetojmë? Nëse u përgjigjesh pozitivisht letrave të mia, nuk duhet të jetosh më në Vjenë, është e pamundur. Milena, për mua nuk je një zonjë, por një vajzë. Nuk kam njohur kurrë një grua që të ishte kaq fëmijë. Nuk do të guxoj të të jap dorën, vajzë, dorën e pistë, konvulsive, me thonj, të pasigurt, të dridhur, përvëluese dhe të ftohtë”.
Elona Qose