“Nën ujë” – një triller ambicioz
Çelësi i suksesit të librit “Vajza në tren” nga Paula Hawkins tre vite më parë ishte pa diskutim fibula: tradhtia bashkëshortore dhe pasojat vrastare të saj. Stili i rrëfimit të shkrimtares ndihmoi që libri të shitej në 20 milionë kopje dhe të realizohej edhe në një film hollivudian.
Kështu që nuk është çudi që libri tjetër i autores, i botuar para disa muajsh dhe i sjellë në shqip nga shtëpia botuese “Morava”, të pritej me padurim.
“Nën ujë” tregon se autorja, Paula Hawkins, qartazi nuk është e interesuar në përsëritjen e formulës që e bëri të suksesshme me romanin e parë. Strukturalisht, “Nën ujë” është një libër më ambicioz.
Një grua, Nel Abbott, gjendet e vdekur në një lumë, në një qytezë të Anglisë veriore. Shumë shpejt del se ajo nuk është gruaja e parë që humb jetën në ato ujëra. Që këtej nis spiralja e misterit: u rrëzua nga shkëmbinjtë apo e shtyu dikush? Aksident fatkeq, vetëvrasje apo vrasje gjakftohtë?
I vetmi problem i librit është numri i madh i karaktereve me motive të ndryshme të lidhura me ngjarjen, çka e bën ngjarjen herë – herë të ngatërruar dhe të vështirë për të ndjekur historitë e secilit.
Por siç thotë një oficer policie në libër: Si mund t’ia dalim të ndjekim çështjet e gjithë këtyre viktimave këtu?
Vetë autorja e kishte kuptuar këtë vështirësi që kur po e shkruante romanin, megjithatë nuk hoqi dorë. Është një lloj kumari, të vësh bast karrierën, por duke qenë një nga shkrimtaret më të paguara të viteve të fundit, Hawkins mund t’ia lejonte vetes këtë gjë.
E. Qose