Sendet personale të shkrimtarëve që janë shitur për shuma marramendëse
Si për çdo formë arti, edhe në letërsi, relikte të shkrimtarëve të njohur blihen për çmime marramendëse nga koleksionistë të ndryshëm. Çdo gjë, nga portofola, letra, te hiri i shkrimtarëve të dashur, janë shitur për shifra të çmendura. Sepse dikujt i duhet, për shembull, kruajtësja e dhëmbëve e Çarls Dikensit, edhe pse nuk jam fort e sigurt se ku mund ta ekspozojnë një objekt të tillë.
Ja një listë me disa nga objektet më të çuditshme të shitura në ankand.
Kruajtësja e dhëmbëve e Çarls Dikensit
Të paktën është e personalizuar, ka inicialet e shkrimtarit. U shit në ankand në vitin 2009 për plot 9150 dollarë.
Portofoli i Sylvia Plath
Ishte “shumë në një”, pasi portofoli përmbante edhe kartën e identitetit të poetes, patentën, kartën e anëtarësimit në Bibliotekën e Bostonit, kartën e anëtarësimit në Shoqërinë e Poetëve Amerikanë si dhe një foto të poetes me nënën e saj. Portofoli u shit për 11,669 dollarë në mars të këtij viti.
Grafia e këmbës së Ernest Heminguejit
Kjo grafi e këmbës së Heminguejit, që u shit në zarfin origjinal të spitalit ku u bë, shit në dhjetor 2016 për 15 mijë dollarë.
WC-ja e J.D. Salinger
Kur mendoja se kisha parë gjithçka të dilte në ankand, sidomos kur bëhet falë për sende personale të artistëve që sapo kanë ndërruar jetë, fansat e të cilëve janë gati të shpenzojnë rrogën e një viti, më doli përpara kjo foto. Kjo WC shoqërohej me një letër që vërtetonte se e kishte përdorur shkrimtari J.D. Salinger dhe jo vetëm kaq, ky objekt shitej në gjendjen e tij origjinale, që do të thotë i papastruar.
U shit për plot 1 milion dollarë! Përfundimisht ka njerëz që i hedhin paratë në hale.
Elona Qose