skip to Main Content

Shkrimtar, politikan, aktivist e donzhuan… çfarë nuk dini për Viktor Hygo

I konsideruar një nga shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohëve, Viktor Hygo e ka zënë vendin e tij në letërsi falë librave si “Katedralja e Parisit” dhe “Të mjerët”.

I lindur në vitin 1802, ndërsa Napoleoni ishte në pushtet, Hygo ishte i njohur si poet dhe romancier kur në moshën 30-vjeçare vendosi të studionte për drejtësi.

Por po aq sa shkrimtar, Hygo fare mirë mund të kujtohet si politikan dhe shenjtor. Ja disa të dhëna mbi shkrimtarin që mbase nuk i keni lexuar më parë.

 

Hygo ishte aktivist i të drejtave të njeriut

Ndikimi i Hygoit shkon përtej letërsisë. Në shumë nga shkrimet e tij ai hulumtoi mbi politikën, drejtësinë, varfërinë dhe moralin.

Dhe jo vetëm kaq, Hygo e shfrytëzoi statusin e tij për ndryshime sociale. Pasi u zgjodh si anëtar i Asamblesë Kombëtare të Francës në vitin 1848, ai luftoi për t’i dhënë fund varfërisë dhe për arsim falas për të gjithë fëmijët. Po ashtu, njihen gjerësisht përpjekjet e tij për të shfuqizuar dënimin me vdekje.

 

Romani më i njohur francez u shkrua në Britani

Kritik i Napoleonit, Hygo la Francën dhe u vendos në një ishull të vogël britanik ku jetoi për 15 vjet. Ishte një nga periudhat më produktive në jetën e tij, gjatë së cilës shkroi “Të mjerët”. Kjo do të thotë se ai që gjerësisht njihet si romani më i njohur francez u shkrua në fakt në Britani.

 

Kishte një kurë të veçantë për të luftuar “bllokimin e shkrimtarit”

Shkrimtari i njohur zhvishej komplet dhe mbyllej në një dhomë vetëm me letër dhe një penë, një mënyrë që mos të shpërqendrohej dhe mos të kishte mundësi të dilte.

 

Kishte një jetë të komplikuar dashurore

Viktor Hygo u martua me Adele Foucher në tetor 1822 dhe me të jetoi për 46 vjet, deri në vdekjen e saj. Megjithatë, ai pati disa lidhje jashtëmartesore, madje edhe lidhje të shkurtra rastësore, sa edhe biografët e tij kanë hequr dorë nga përpjekja për të hartuar një përmbledhje të jetës së tij private.

 

Përgatiti: Elona Qose