skip to Main Content

Shkrimtarë të njohur me vetëm një libër

Amerikanët kanë një shprehje, ”One hit wonders”, që përdoret më së shumti në industrinë e muzikës dhe u referohet artistëve që kanë pasur sukses të jashtëzakonshëm vetëm me një këngë; atyre që mbahen mend vetëm nga një hit, edhe pse mund të kenë publikuar dhjetëra albume muzikore.

Një term i tillë gjen vend edhe në letërsi. Mund të habiteni me emrat që do t’ju listojmë më poshtë, por në fakt shumë prej tyre patën një sukses të jashtëzakonshëm me veprën e vetme që botuan, ndërsa të tjerë, pavarësisht botimeve të tjera, nuk arritën kurrë të suksesin e një botimi për të cilin mbahen mend.

Lartësitë e stuhishme –Emili Brontë
Një libër klasik, i mbushur kaq shumë me pasion, dhimbje, zemërim sa, me sa duket, e konsumoi tërësisht Brontë-n. Ky libër ka frymëzuar filma, muzikalë, pjesë baleti etj.

Bashkë me erën – Margaret Mitchell
Edhe ata që nuk e kanë lexuar e njohin si titull ose e kanë parë film, po aq i njohur dhe i suksesshëm sa libri, në mos më shumë. Ishte i vetmi libër që Mitchell botoi sa ishte gjallë.

Të vrasësh zogun përqeshës – Harper Lee
Një libër ikonë në letërsinë amerikane. “Shko, vër një roje”, pavarësisht marketingut, nuk arrin kurrë nivelin e të parit.

Kambana e qelqtë – Silvia Plath
Në fakt, “Kambana e qelqtë” është romani i vetëm i Plath, por ajo botoi disa vëllime me poezi. Megjithatë, pavarësisht citimeve të disa prej poezive të saj më të njohura dhe cilësimit të saj si një poete e jashtëzakonshme, sërish emri i Plath lidhet më së shumti me këtë roman.

Doktor Zhivago – Boris Pasternak
I njohur për refuzimin e botimit në ish-Bashkimin Sovjetik, “Doktor Zhivago” u botua fillimisht në Itali. Ky libër i dha Pasternakut çmimin Nobel në Letërsi.

Elona Qose