skip to Main Content

Blerësi i parë i një libri të Xhejn Ostin? Princi që ajo urrente

Pak a shumë si heroina e saj Elisabet Benet, shkrimtarja e njohur britanike Xhejn Ostin nuk ishte nga ato që stepej kur duhej të thoshte çfarë mendonte, edhe kur ishte fjala për princin regjent të Anglisë.

Si shumë bashkëkombës të saj, Ostin e urrente me forcë princin regjent, madje në vitin 1813 shkroi një letër të gjatë për burrin, jeta e shfrenuar dhe tradhtitë e të cilit skandalizuan kombin.

Tani, në një situatë ironike që me shumë mundësi vetë Ostin do ta vlerësonte pa masë, rezulton se pikërisht ky princ ishte jo vetëm ndër lexuesit e saj të parë, por edhe blerësi i parë i një vepre të Ostin

Këtë muaj, një student, ndërsa kërkonte në arkivin mbretëror të kështjellës Windsor, zbuloi një faturë që daton në vitin 1811. Fatura është lëshuar nga një librari në Londër për princin që më vonë do të njihej si Xhorxhi IV. Fatura ka shumën e 15 shilingave dhe ishte paguar për një kopje të librit të parë të Ostin, “Ndjenjë dhe ndjeshmëri”.

Çuditërisht, shitja është bërë dy ditë para botimit të librit, duke e bërë kështu atë që studiuesit mendojnë se është shitja e parë e dokumentuar e librave të Xhejn Ostin.

Në vitin 1788, kur i ati u bë i paaftë për të qeverisur për shkak të sëmundjes mendore, princi  bleu gazetën “The Morning Post” vetëm për të ndaluar shkrimet mbi jetën e tij private.

Princi regjent njihej për interesat e tij letrare, edhe pse jo shumë të sofistikuara.

Ndaj, siç thotë zbuluesi i kësaj fature: “Sinqerisht jam i lumtur që një njeri plot të meta si princi regjent lexonte krijimet e Xhejn Ostin”.

E. Qose