Det, diell dhe shfletim faqesh – çfarë të lexoni në plazh
Disa shkrimtarë e kritikë letrarë janë kundër termit “lexim veror”, duke mos e pranuar tendencën për të lexuar në bazë të ndarjes stinore. Por lidhja e verës me letërsinë nuk është dhe aq rastësore. Asgjë nuk e plotëson stinën e verës sa një libër i mirë.
Verë do të thotë çlodhje, muzikë, udhëtim dhe shoqëri e një ose më shumë libra.
Kafe e ftohtë, limonada apo kokteje, ditë të gjata në plazh ose pishina… pushimet janë perfekte për t’u zhytur në histori.
Për të gjetur librin që i përshtatet shijeve të tua, fillimisht përcakto një zhanër: nga misteri te romanca, nga biografitë te guidat e udhëtimit. Muajt e fundit shtëpitë botuese në Shqipëri kanë hedhur në treg disa nga titujt më të njohur e më të shitur nëpër botë.
Në këtë shkrim kemi renditur disa nga librat që nuk duhen humbur.
Stoneri – John Williams
“Romani më i madh amerikan për të cilin s’keni dëgjuar asnjëherë”- e ka cilësuar “New Yorker”. Sot konsiderohet nga kritika si një kryevepër, por kur u botua për herë të parë në vitin 1965, ai kaloi pothuajse pa u vënë re. U desh të vinte viti 2003, kur romani u ribotua nga prestigjiozja “New York Review of Books”, për ta bërë të famshëm në mbarë botën.
Nën ujë – Paula Hawkins
Botuesi: MORAVA
Një nënë beqare gjendet e vdekur në fund të lumit që rrjedh përmes qytezës. Më herët, gjatë po asaj vere, një vajzë e brishtë adoleshente pësoi të njëjtin fat. Ato nuk ishin gratë e para që humbën jetën në ujërat e errëta, por vdekja e tyre e trazoi lumin dhe historinë e tij, duke nxjerrë në dritë sekretet e fshehura prej kohësh.
Hawkins na paraqet tani një histori mahnitëse, plot kthesa dhe thellësisht të ndjerë, e cila tregon se sa “mashtruese” mund të jenë emocionet dhe kujtimet, por edhe se në ç’mënyrë shkatërrimtare mund ta zgjasë e shkuara dorën drejt së tashmes.
Binjakja e heshtur – S. K. Tremayne
Botuesi: DITURIA
“Gjithçka the është e drejtë, vdekja e atyre që duam fort, është më e keqe se vdekja jonë, dhe është e vërtetë se të gjitha dashuritë janë një formë vetëvrasjeje, ti shkatërron veten, vret diçka brenda teje me vetëdije të plotë, nëse dashuron vërtet”.
Kur njëra nga vajzat e tyre binjake identike, Lidia, vdes në një aksident, Engusi dhe Sara Murkrofi shpërngulen në një ishull të braktisur të Skocisë, me shpresën se do të mund të rindërtojnë jetën e tyre të shkatërruar.
Por, kur fëmija që jeton, Kristi, mëton se ata kishin ngatërruar identitetin e saj – që, në fakt, ajo është Lidia – bota e tyre bëhet copash.
Pianisti – Władysław Szpilman
Botuesi: DITURIA
Më 23 shtator 1939, Vlladisllav Shpilmani, një pianist i ri nga Varshava, po luante në piano teksa jashtë shpërthenin predhat. Ishte emisioni i fundit muzikor i drejtpërdrejtë nga Varshava: atë pasdite, një bombë gjermane shkatërroi radiostacionin dhe Radioja Polake…
Ajlen – Esmeralda Petrela
Botuesi: DUDAJ
Ishte fillimi i viteve njëzet, kur arkeologu anglez, i panjohur deri në atë çast, Jan Hiçens gjeti një ndërtim të vjetër në një zonë shumë të largët nga qyteti i shkretuar i Memfisit. Për habinë e tij, dikur egjiptianët e lashtë ndërtonin një tempull larg çdo vendi, çdo qyteti të gjetur deri në atë çast.
Djemtë e pashëm – Delphine de Vigan
Botuesi: PEGI
Ky libër tregon se si dëshpërimi për dashuri, të bën ta shohësh dashurinë gjithandej, edhe në vendet e njerëzit më të paimagjinueshëm.
Tri portrete burrash, tri takime, tri shije, tri dashuri më shumë të ëndërruara, sesa të jetuara… dhe Ema që tregon “unin” e një gruaje.
“Sa herë duhet të luajmë lojën para se të heqim dorë?” – e pyet ajo veten.
Ekziston vërtet
dashuria, apo nuk është veçse një ëndërr, një trillim që na lejon të vazhdojmë jetën?
E. Qose