Fragmente nga “Letra e një të panjohure”
Djali më vdiq dje. Kam luftuar tri ditë e tri net me vdekjen për këtë fëmijë të vogël e të brishtë. I kam ndenjur te koka dyzet orë rresht, ndërkohë gripi dhe ethet po ia sfilitnin trupin e gjorë e të vockël…dhe erdhi vdekja dhe e mori në kthetrat e saj….
***
Atë natë, pa të njohur akoma, të pashë në ëndërr për të parën herë. Të nesërmen ti erdhe, por megjithëse të përgjova, s’të pashë dot – kjo ma shtoi edhe më tepër kureshtjen. Më në fund, ditën e tretë, të pashë dhe u habita, u trondita shumë që ti m’u shfaqe krejt ndryshe, që ti nuk i ngjasoje fare asaj ikonës së perëndishme! Kisha ëndërruar një plak babaxhan me syze, kurse erdhe ti, ashtu i tëri, siç je edhe sot, o ti i pandryshueshëm, mbi të cilin vitet përplasen e rrëshqasin pa forcë!…
***
Të gjithë, të gjithë njerëzit më kanë përkëdhelur, të gjithë kanë qenë shpirtmirë ndaj meje—vetëm ti, vetëm ti, ti më ke harruar, vetëm ti s’më ke njohur kurrë.”
****
Mos ki frikë nga fjalët e mia, gruaja e vdekur nuk të kërkon asgjë, as dashuri, as përdëllim, as ngushëllim. Vetëm një gjë dua nga ty, që t’i besosh gjithçkaje. Besoji të gjitha, vetëm për këtë gjë të lutem: nuk të gënjen njeri në çastet e vdekjes së një fëmije të vetme.
***
Fëmija im vdiq dje—ishte dhe fëmija yt. Ishte dhe fëmija yt i dashur—fëmija i një prej atyre tri netëve bashkë….