Historia e vajzës që vret gjarprin përbindësh
Rrëfenja popullore nga e gjithë bota
Folklori kinez
Shumë kohë më parë, në Kinën e largët, mes maleve Yung jetonte një gjarpër i madh dhe i frikshëm. Gjithë fshatrat pranë ishin terrorizuar nga gjarpri. Shumë ishin përpjekur ta vrisnin, por të gjithë kishin përfunduar ushqim për zvarranikun gjigant.
Banorët e mjerë vazhdimisht i ofronin dele e dhi, por kjo nuk mjaftonte për të kënaqur përbindëshin, që hante çdo burrë që përpiqej të kalonte malin.
Një natë, gjarpri u doli në ëndërr banorëve të provincës. Ai u tha se nuk do t’i prekte më burrat, nëse, një herë në vit, ata do t’i jepnin një vajzë 12-13-vjeçare. Nëse pranonin të sakrifikonin një vajzë një herë në vit, do të jetonin në paqe.
Pasi e pleqëruan çështjen, të mëdhenjtë e provincës vendosën ta pranonin sakrificën. E çfarë mund të bënin tjetër? Të gjithë i frikeshin gjarprit.
Kështu, ata zgjodhën bijat e skllevërve dhe kriminelëve për t’i bërë kurban. Fëmijët u morën me forcë nga shtëpitë e tyre dhe u burgosën deri në ditën e caktuar. Çdo vit, në muajin e tetë, ushtarët çonin një vajzë të vogël drejt maleve Yung dhe e linin atje.
Kjo sakrificë e përgjakshme zgjati plot nëntë vjet. Nëntë vajza të vogla u bënë ushqim për gjarprin që fshati të jetonte i qetë.
Me hyrjen e vitit të dhjetë, ushtarët nisën të kërkonin një vajzë për ta mbajtur robinë deri në ditën e sakrificës.
Në një fshat jetonte një burrë i varfër me emrin Li Tan. Ai dhe e shoqja ishin bekuar me shtatë vajza dhe nuk kishin asnjë djalë. Më e vogla e vajzave quhej Li Chi.
Me nisjen e kërkimeve për sakrificën e radhës, Chi shkoi tek i ati.
-Baba, – tha e vogla. -Kam vendosur të dal vullnetare si sakrificë për gjarprin.
I ati nuk po u besonte veshëve.
-Pse do ta bësh një gjë të tillë, bijë? – i tha. -Unë nuk jam as kriminel dhe as skllav. Ju të gjitha jeni të sigurta nga ai fat makabër.
-Baba, – ia ktheu vajza. Ti ke shtatë vajza, është njëlloj si të jesh pa fëmijë. Asnjëra prej nesh nuk do të jetë në gjendje të kujdeset për ju kur të plakeni. Nëse unë sakrifikohem, ju do të shpërbleheni me para që të kaloni një pleqëri të qetë.
Prindërit u ndjenë krenarë, por nuk pranuan kurrsesi.
Li Chi doli vullnetare dhe udhëheqësit e provincës premtuan se do t’i dërgonin para familjes së saj pasi ajo të nisej për në mal.
Li mori me vete një shpatë dhe disa topa orizi të ëmbël. E shoqëruar nga një qen, ajo mori rrugën përpjetë. Eci gjithë ditën dhe kur arriti në grykë të shpellës së gjarprit dielli po perëndonte.
Me të arritur, nxori shpejt topat e orizit dhe i vuri me radhë në tokë përpara shpellës. Pastaj hipi mbi një shkëmb të madh mbi shpellë dhe priti.
Sapo dielli perëndoi, era ndryshoi drejtim dhe Chi kuptoi se kishte ardhur koha. Kishte dëgjuar që gjarpri ishte i madh, por kur e pa ngriu. Gjarpri rrëshqiti ngadalë drejt orizit, gëlltiti të parin, të dytin, të tretin… dhe Chi priti edhe pak, pastaj lëshoi qenin i cili i nguli dhëmbët bishës. Me të shpejtë, vajza u hodh nga shkëmbi dhe i nguli shpatën me sa fuqi kishte. Gjarpri klithi fort dhe u shuk në tokë. Duke u përpëlitur në agoni, nga kafshimet e qenit besnik dhe një plagë e madhe nga shpata e një 12-vjeçareje, që duhej të ishte thjesht ushqim, përbindëshi u rrotullua nëpër shkëmbinj derisa u plandos pa frymë.
Në brendësi të shpellës, Li Chi gjeti kafkat e nëntë vajzave të vogla që kishin shkuar atje para saj. Ajo i mblodhi të gjitha me pikëllim.
“Sa keq që frika ju çoi në vdekje!”- tha me vete dhe mori rrugën e kthimit.
Që nga ajo kohë, vendi i saj u çlirua nga përbindëshat, ndërsa për Li Chi janë thurur këngë heroike, që jetojnë edhe sot.
Përktheu dhe përshtati: Elona Qose