skip to Main Content

Libra apo rrjete sociale?

Si të lexoni 100 libra në vit

Dikush pyeti Warren Buffett – manjat amerikan – për sekretin e suksesit të tij. Buffett tregoi një grumbull librash dhe u përgjigj: “Lexo 500 faqe çdo ditë. Kështu shtohet dija. Të gjithë mund ta bëni, por ju garantoj se shumë pak do ta bëjnë”.

Dhe shumë pak e kanë bërë vërtet. Vendimi për të ndjekur këshillën e Buffet, megjithatë, u ka ndryshuar jetën shumë njerëzve.

Mbase jo të gjithë mund të lexojnë 500 faqe në ditë, e rëndësishme është të lexosh sa më shumë të mundesh. Librat të japin dije, u japin përgjigje pyetjeve më të vështira jetësore në mënyrën më të lehtë dhe të paimagjinueshme; librat të inkurajojnë të udhëtosh, të njohësh vende dhe kultura të reja. Librat të japin modele për t’u ndjekur, të njohin me heronj dhe me kuptimin e jetës.

Të gjithë mund ta bëjnë, të lexojnë, ta zëmë 100 libra në vit, mjaftojnë disa këshilla.

Mos hiqni dorë që para se të nisni

Është normale që kur dëgjon për 500 faqe në ditë reagimi i parë është: Jo, e pamundur! Më pas i mbush mendjen vetes se nuk ke kohë, se ke gjëra të tjera për të bërë apo se thjesht librat “nuk janë për ty”. E rëndësishme është të bësh të kundërtën; t’i mbushësh mendjen vetes se ti ke kohë, se nuk ke gjëra më të rëndësishme sesa të marrësh dije dhe se “librat janë  fiks për ty”.

 

Nëse vërtet je i zënë, gjej kohë për të lexuar

 100 libra në vit janë goxha punë. Por pa mendoni pak, sa kohë në ditë kaloni në rrjetet sociale?  Po përpara televizorit? Provoni që një pjesë të kësaj kohe ta zini duke lexuar; është më dobiprurëse dhe shpejt do të kuptoni se është edhe argëtuese.

Çështja është: ne kemi kohë, por pjesa e vështirë është të dish të bësh atë që është më e rëndësishme.

Mediat të krijojnë varësi. Të heqësh dorë nga rrjetet sociale është si të heqësh dorë nga drogat.

Nëse do vërtet të lexosh sigurohu të mos kesh shpërqendrime.

 

Një ditë lexova një libër dhe jeta ime ndryshoi – ka thënë Orhan Pamuk.

Provojeni një herë. Mund të gjeni shumë më tepër sesa kërkoni.

Elona Qose