skip to Main Content

Pa titull

Qiej të plotësuar në yje,
yje që nuk ndrijnë,
vogëlushe të rritura të thyera
i vrojtoj tek shkrijnë.
Njëra prej tyre unë,
marrosur në lakminë.
Vetja ime e parë, shoh se kam harruar,
kujtohem e trishtuar
oh sa kam harruar,
prangosur,ligështuar
kokulur e rrënuar,
zvarritur, përkushtuar,
sa shumë nuk kam besuar.
Nota dëshpërimi,
në një simfoni,
tejshpuar në diej,
dua ekstazi!
Ta ndjej unë glamurin
dhe të vetkënaqem,
të përkoj në veten
dhe krejt të shpërfaqem,
të të tregoj at’ sa fort unë të dua,
eja dhe më pranë,
qëndro këtu në mua.
Se netëve kur ikja, shiu bëhej erë,
fluturat, krimba
i piqja ne hell.
Mos ma fal babë, kokëkrrisjen e shthurur,
betohem në egon
se fort s’të kam puthur.
Ma ndjej gushën babë dhe njëherë si më parë,
thirrmë lepurushe të kthehem në ar.
Se të rriturit kur dehen bëhen prapë fëmijë.
Me ledhe me tjerr,
bëhem prapë fëmijë.
Ta ndjej fort aromën si gjirin e mamës,
kujdesin qe endej, kjo asht forcë e babës!

Anxhela Latifi