skip to Main Content

Saga napolitane e Elena Ferrantes

“Mbiemri i ri” është vëllimi i dytë i sagës napolitane, e cila fillon me romanin
jashtëzakonisht të suksesshëm, “Mikesha gjeniale”. Elena rrëfen historinë e
jetës së saj e, në mënyrë të tërthortë, edhe atë të Linës, me të cilën është njohur
e shoqëruar që në klasë të parë.
Lina Çerulo, e sapomartuar, është tashmë një grua në grackë, e tradhtuar, e
poshtëruar, e njëkohësisht e paharrueshme për lexuesit, si një Bovari
moderne. Lagjja e varfër dhe e ndotur ku ajo dhe Elena janë rritur bëhet një
prani gjithnjë e më e dhunshme, një personazh në një sagë që drithëron me
personazhet plot jetë e vërtetësi.
Libri i dytë fillon me martesën e Linës në moshën 16-vjeçare. Në disa skena
të hershme e tronditëse, mësojmë se si Lina shndërrohet në Zonjën Karraçi,
përmes dhunës e mashtrimit. Fillimisht, Elena mendon se “statusi i
bashkëshortes e kishte mbyllur në njëlloj ene të qelqtë”. Më pas, kur burgimi
i saj bëhet i qartë, ajo vëren se si gratë e lagjes “hiqeshin zvarrë eshkë të thata,
sy e faqe zgavruara, ose më vithet e gjera, noçkat e këmbëve të buhavitura,
gjokset e rënda, torbat e pazarit, vocërrakët që u vareshin pas fundeve dhe që
u kërkonin t’i merrnin hopa.” Ajo pyet veten se “Kur zinte fill vallë ai
shndërrim? Me punët e shtëpisë? Me barrën? Me dajakun?”
“Mbiemri i ri” i referohet shndërrimit të Linës në zonjën Karraçi, por jo
vetëm. Siç ndodh rëndom me Ferranten, titulli i referohet edhe Elenës dhe
zgjedhjeve të jetës së saj, fort të ndryshuar, larg qytetit të lindjes.
Kompromiseve që do të bëjë për të ruajtur një status të ri, aq fort të kërkuar
e të ëndërruar, sakrificave shpirtërore që do t’i kërkohen si flijim i ruajtjes së
sekreteve e njëkohësisht edhe pamjaftueshmërisë së brendshme që do ta
shtyjë gjithmonë drejt Linës, në një ekuilibër rrëqethëses rolesh e modelesh,
nga të cilat duket se asnjë nga personazhet nuk mund të çlirohet.
Saga napolitane është botuar në 40 vende të botës dhe deri më sot, ka shitur
rreth tre milionë kopje.