skip to Main Content

Audio-libri, nga mjet ndihmës për të verbrit në një formë popullore e rrëfimit

Audio-libri vitet e fundit ka rezultuar një sukses i vërtetë jashtë Shqipërisë. Madje shtëpi të ndryshme botuese, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kopjet fizike të librave i shesin, për një tarifë plus, bashkë me kopjen audio.

Për ta kuptuar, audio-libri është një rrëfim i regjistruar në mënyrë dixhitale. Teksti mund të lexohet nga një profesionist, nga një amator me zë interesant ose, në disa raste, që janë edhe më të kushtueshme, nga vetë autori. Për shumë njerëz, të cilët kanë kohë të kufizuar për t’ia kushtuar leximit, tashmë është bërë e zakonshme ta dëgjojnë librin që duan gjatë udhëtimeve me makinë apo ndërsa bëjnë vrapin e përditshëm.

Matthew Rubery, profesor i Letërsisë Moderne në universitetin e Londrës, shpjegon origjinën e audio-librit. Së pari, Rubery shpjegon se shumica e librave kanë vetëm një narrator, pra vetëm një zë që lexon të gjithë librin, ndërsa në disa të tjerë përfshihet një ekip i tërë në varësi të personazheve të librit, madje ndonjëherë edhe efekte zanore dhe bazë muzikore.

Ndërsa për shumë është interesante dhe brohoritet si një shpikje e re dhe praktike, shumica e njerëzve nuk e kanë idenë se libri në audio nuk është një shpikje edhe aq e re, madje ka lindur bashkë me tingullin e regjistruar.   Kur Thomas Edison shpiku gramafonin në vitin 1877, regjistrimi i parë që bëri ishte ai i vjershës “Meri ka një qengj të vogël”.

Profesori  Rubery shpjegon se regjistrimet e para janë bërë në fakt për njerëzit me probleme me shikimin në vitin 1930. Më pas u zhvillua një projekt për të ndihmuar ushtarët që kishin humbur shikimin gjatë Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1934, Fondacioni Amerikan për të Verbrit dhe Instituti Kombëtar Britanik bashkëpunuan me industrinë muzikore për të krijuar një disk që mund të mbante deri në 24 minuta tekste të lexuara. Ata zbuluan se për një roman mesatar duheshin 10 disqe. Sigurisht që  nuk u përpoqën të lexonin “Lufta dhe paqja”, që sipas llogaritjeve kërkonte 119 disqe.

Megjithatë, audio-librat nuk patën një treg masiv deri në fillim të viteve 1950, kur romani “Tajfuni” i Joseph Conrad u bë libri i parë artistik i regjistruar i plotë. Botuesit në fillim ishin nervozë. Ata trembeshin se këta libra do të lexoheshin me pjesë në radio, çka do të sillte ulje të shitjeve të librave.

Por disa botues ishin më mendjehapur dhe e panë edhe si një lëvizje marketingu fitimprurëse. Barbara Holdridge dhe Marianne Mantell çelën një shtëpi diskografike, që u bë e para e specializuar në regjistrimet e letërsisë artistike. Dy botueset fillimisht i kërkuan poetit Dylan Thomas të regjistronte disa nga poezitë e tij. Thomas u ofrua të lexonte një tregim, të cilin e kishte shkruar së fundmi, “Krishtlindja e një fëmije në Uells”. Tregimi u shit në mijëra kopje, duke u ndërruar në një ndër pjesët më popullore të këtij autori.

Duket se kohët e fundit, audio-libri po fiton respektin dhe suksesin e kërkuar prej vitesh.

Përgatiti: Elona Qose