skip to Main Content

Disa kuriozitete mbi librat më të shitur të të gjitha kohërave

Të përpilosh listën me librat më të shitur të të gjitha kohërave është disi e vështirë. Në fakt, mezi gjenden të dhëna të besueshme. Duke mbledhur informacione në internet dhe sipas “Guiness word records”, bibla, kurani “Libri i kuq” i Mao Tse-Tung janë librat më të shitur të të gjitha kohërave.

Ja disa të dhëna interesante mbi librat më të shitur:

 

“Liza në botën e çudirave” nga Lewis Carrol – mbi 100 milionë kopje të shitura

Lewis Carrol është pseudonimi i Charles Lutwidge Dodgson, matematikan në Oksford. Pseudonimi u krijua si një lojë fjalësh mes dy emrave të tij të pagëzimit: Charles (Carolus në latinisht) dhe Lutwidge (Ludovicus). “The Guardian” shkruan se Lewis Carroll vuante nga një shqetësim neurologjik në gjendje të shkaktonte halucinacione dhe deformime të objekteve, duke i bërë të dukeshin më të vegjël ose shumë më të mëdhenj nga ç’ishin në realitet, që është edhe tema e librit. Kjo sindromë, e zbuluar në vitin 1955 nga psikiatri anglez John Todd, njihet edhe si sindroma “Liza në botën e çudirave”. Tirazhi i parë i librave ishte 2000 kopje, por nuk u shpërnda kurrë, sepse ilustruesit John Tenniel iu duk qesharake cilësia e stampimit. Edicioni pasues thuajse u përpi në pak kohë.

 

“Hobit” nga i J. R. R. Tolkien – mbi 100 milionë kopje të shitura

Tirazhi i parë ishte vetëm 1500 kopje, që tani vlerësohet rreth 100 mijë dollarë njëra. Kritiku i parë entuziast i veprës ishte djali 10 vjeç i redaktorit Stanley Unwin. Ilustrimet bardhezi të origjinalit, që më pas u bënë me ngjyra, janë realizuar të gjitha nga vetë Tolkien.

 

“Harry Potter dhe guri filozofal” nga J. K. Rowling – mbi 120 milionë kopje të shitura

Të dhënat e këtij klasifikimi i referohen vetëm librit të parë. sepse të gjitha kanë shitur mbi 500 milionë kopje në të gjithë botë, duke u bërë saga më e shitur në histori. Aktualisht është e përkthyer në 80 gjuhë të ndryshme. Katër librat e fundit të serisë kanë vendosur në vazhdimësi rekord si librat më të shitur të të gjitha kohërave. Libri i fundit ka shitur rreth 11 milionë kopje në të gjithë botën në 24 orët e para të daljes në librari. “Harry Potter dhe guri filozofal”, romani debutues i shkrimtares, u botua vetëm në 500 kopje dhe editori i kërkoi Rowling të përdorte një emër mashkulli, i bindur se do të kishte më shumë lexues. Vajza 8 vjeçe e ambasadorit të deleguar të Bloomsbury ishte i pari fëmijë që e lexoi librin, ende pa u botuar, dhe tha se ishte shumë më i bukur se çdo gjë tjetër që kishte lexuar. Të drejtat e librit për edicionin amerikan iu shitën “Scholastic Corporation” në vitin 1997, për 105.000 dollarë.

 

“Princi i vogël” nga Antoine de Saint-Exupery – mbi 140 milionë kopje të shitura

Bëhet fjalë për një ndër librat më të shitur dhe më të përkthyer në të gjithë botën. Edhe pse “Princi i vogël” është shkruar në frëngjisht, edicioni i parë i papublikuar asnjëherë ishte në anglisht, që parapriu me pak ditë atë në gjuhën e origjinës. I botuar në vitin 1943 në Nju Jork, autori nuk e pa asnjëherë librin e tij të botohej në atdhe. Libri u botua vetëm pas çlirimit të Francës në fund të luftës, por fatkeqësisht Antoine de Saint-Exupery kishte vdekur. “Princi i vogël” përdoret shpesh si instrument didaktike nëpër shkolla, falë disponueshmërisë në çdo gjuhë dhe leksikut të thjeshtë, që e bën ideal për t’u mësuar gjuhën fëmijëve të huaj. Në vitin 2005 u përkthye në një gjuhë të folur vetëm nga aborigjenët që jetojnë në Chaco, në veri të Argjentinës, të quajtur Toba. I vetmi libër i përkthyer në gjuhën Toba është bibla.

 

“Don Kishoti” nga Miguel de Cervantes – mbi 500 milionë kopje të shitura

“Don Kishoti” është konsideruar si i pari libër modern në historinë e letërsisë. I riu Servantes njihej si një njeri i rezervuar, i ndrojtur dhe belbëzues, por jeta e tij ishte plot me aventura. Kur ishte 22 vjeç u akuzua, padrejtësisht, se plagosi gjatë një dueli një murator. Miguel u detyrua të arratisej dhe ia mbathi në Itali për t’i shpëtuar dënimit, që përkonte me prerjen e dorës së djathtë. Në Romë u bë shërbëtori i kardinalit Giulio Acquaviva. Dy vjet më vonë, Servantesi u bashkua me ushtrinë dhe mori pjesë në betejën e Lepantos (1571), ku humbi dorën e majtë. Gjatë kthimit për në Spanjë, anija ku lundronte u sulmua dhe u burgos në Algjeri, ku u kthye në skllav nga 1575-1580. Kësaj periudhe dhe tentativave për arratisje, derisa u shpëtua nga familjarët, i referohet edhe në roman, ku Don Kishoti vendos të lirojë skllevërit. Servantesi e pati idenë e subjektit ndërsa ishte në burgun e Seviljas, ku u burgos dy herë, më 1597-n dhe 1602-shin, për periudha të shkurtra. Për të shkruar librin iu deshën 20 vjet.

Elona Qose