skip to Main Content

Harold Robins, librat që duhet të lexoni

“Çdo njeri mund të blihet. Disa me para. Disa me femra, të tjerë me pushtet. I vetmi njeri që nuk ka çmim është njeriu i ndershëm, ai të vjen vetë falas”.

Harold Rubin lindi në New York City. Herët në karrierë pretendonte se ishte një hebre jetim i rritur në një jetimore katolike. Por në të vërtetë, Robins ishte bir emigrantësh rusë dhe polakë. Ai u rrit nga i ati farmacist dhe njerka e tij në Brukslin.

Libri i tij i parë në vitin 1948, “Mos dashuro kurrë një të huaj”, shkaktoi polemika për shkak të detajeve erotike.
Është një nga shkrimtarët amerikanë me librat më të shitur, me mbi 750 milionë kopje në të gjithë botën.

Disa nga librat e tij më të suksesshëm janë sjellë edhe në shqip.

 

Mos dashuro kurrë një të huaj

Botuar në vitin 1948, “Mos dashuro kurrë një të huaj” është romani i parë i Robins dhe një nga më të fuqishmit. Libri nisi karrierën e Robins, i cili vendosi ta shkruante për shkak të një basti. Dikush vuri bast 100 dollarë që Robins nuk mund të shkruante një roman popullor. Një 100 dollarësh me vlerë, pasi “Mos dashuro kurrë një të huaj” është përkthyer në më shumë se 35 gjuhë dhe ka shitur miliona kopje në të gjithë botën.

Një gur për Deni Fisher

Në vitin 1952, Robins botoi “Një gur për Deni Fisher”, i adaptuar në film me protagonist Elvis Preslin.

Në shqipërimin e Amik Kasoruhos, “Një gur për Deni Fisher”, është një rrëfim mbi ambicien, shpresën, dhunën, korrupsionin në një periudhë të rrezikshme të historisë amerikane.

Ai që nuk dinte të dashuronte

Mbase libri më i njohur i Robins. Libri është një pasqyrë shumëdimensionale e një Amerike në periudhën që nga fillimi i shekullit XX deri pas Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë edhe gjigantin e industrisë amerikane – kinemanë.

“Ai që nuk dinte të dashuronte” u botua në vitin 1961 dhe mendohet të jetë libri i katërt më i shitur në histori. Në kohën kur u botua libri bëri një revolucion të vërtetë, madje me koston e ndalimit në disa vende për shkak të përmbajtjes së lartë seksuale. Libri bëri kaq shumë zhurmë në kohën kur u botua për herë të parë, sa madje një kritik tha se nuk duhej të ishte shtypur në letër, por në muret e banjave publike.

Në ditët e sotme, përmbajtja erotike mund të duket e vakët dhe e mërzitshme, por në vitet ’60 të shkruaje dhe të botoje diçka të tillë nuk ishte e zakonshme.

E. Qose