Librat që rilexohen më shumë sipas Goodreads
Kur na pyesin për librat që kemi lexuar së fundmi, vlejnë edhe rileximet? Ndonjëherë më kap një dëshirë për të lexuar libra që i kam lexuar dikur, një ose më shumë herë. Jam e sigurt që shumë prej jush më kuptoni. Madje ka njerëz që mendojnë se çdo libër duhet të lexohet të paktën dy herë. Megjithatë ka edhe të tjerë që rileximin e konsiderojnë humbje kohe; pse duhet t’i shpenzosh kohë me një libër të cilin e ke lexuar kur çdo ditë dalin botime të reja? Personalisht, siç e ceka më sipër, herë pas here u rikthehem librave që kam lexuar dikur dhe kam kuptuar se i njëjti libër i lexuar në dekada të ndryshme të jetës perceptohet në mënyra të ndryshme. Nëse jeni kuriozë të dini librat që të tjerët rilexojnë më shumë, “Goodreads” e ka listën gati.
1. “Getsbi i madh”, F. Scott Fitzgerald
“Getsbi i madh” kryeson listën e lexuesve të “Goodreads”. Është pa dyshim një nga romanet më të mëdhenj amerikanë, megjithatë unë vetë jam mjaftuar me leximin e parë.
2.Të vrasësh zogun përqeshës, Harper Lee
Një nga klasikët amerikanë, është po aq relevant sot sa edhe në kohën kur është shkruar.
3.Seria e Harry Potter
Një nga librat më popullorë në botë, me një film po aq të suksesshëm, por duket se njerëzit nuk kanë të ngopur me aventurat e Harri-t dhe miqve të tij.
4.1984, George Orwell
Herë pas here, në varësi të situatës politike të shteteve të ndryshme, kryevepra e Orwell kthehet në listën e librave më të shitur. Një nga librat më me ndikim në histori, rileximi i këtij libri duket sikur nxitet përherë nga aktualiteti.
5.Krenari dhe paragjykim, Jane Austen
Është pak e çuditshme ajo që ndodh me këtë libër. Edhe njerëz të cilët e shprehin hapur që nuk kanë ndonjë simpati të madhe, sërish e lexojnë dhe rilexojnë. Siç duket, njerëzit nuk i rezistojnë dot Elisabetës… ose zotit Darsi…
6.Ferma e kafshëve, George Orwell
Orwell ka dy libra në listën e rileximeve. Ashtu si “1984”, ky është një libër i pakohë, që na kujton se regjimet totalitare mund të ngrihen edhe nga qëllime të drejta.
7.Hajdutja e librave, Markus Zusak
Një libër i ri në krahasim me të tjerët në listë e megjithatë sipas Goodreads është një nga librat që rilexohet më shumë. Një libër që narrator ka Vdekjen, por që arrin të balancojë horrorin me fitore të vogla të së përditshmes.
E.Qose