skip to Main Content

Librat që të gjithë duhet t’i lexojnë

Pjesa e parë

 

Sa shumë libra, sa pak kohë! Nëse kërkoni një listë librash që të gjithë duhet t’i lexojnë të paktën një herë në jetë, ne ju sjellim titujt e duhur. Nga klasikët, te librat bestseller, te të dashurit e kritikës, hidhuni një sy rekomandimeve tona dhe sigurisht mund të sillni opinionet tuaja mbi zgjedhjen.

 

Të vrasësh zogun përqeshës – Harper Lee

Fitues i çmimit Pulitzer, libri i Lee është një kryevepër mbi padrejtësitë dhe racizmin në jugun e thellë të Amerikës, si dhe mbi heroizmin e një njeriu të vetëm përballë verbërisë njerëzore.  “Të vrasësh zogun përqeshës” është përkthyer në më shumë se dyzet vende të botës duke u shitur në më shumë se 30 milionë kopje.

 

1984 – George Orwell

Londra është një qytet i zymtë, ku ‘Big Brother’ të vëzhgon pa ndërprerje, ndërsa policia e mendimit praktikisht mund të të lexojë mendjen. Winston, personazhi kryesor, është në rrezik për të vetmen arsye se mban mend. Bota sundohet nga një sistem i ri, për të cilin autori u frymëzua nga sistemi komunist.

 

Hajdutja e librave – Markus Zusak

Gjermania naziste. Vendi mban frymën. Vdekja kurrë nuk ka qenë më e zënë me punë se tani. Lizeli, një vajzë nëntëvjeçare, jeton në rrugën Himel me familjen që e birësoi. Prindërit ia dërguan në një kamp përqendrimi. Lizeli vidhte libra. Kjo është historia e saj dhe historia e banorëve të asaj rruge kur nisën të binin bombat.

 

Më e mira e botëve – Aldous Huxley

“Më e mira e botëve” e vitit 1932 trajton të ardhmen e një shoqërie në fushën e shkencës, artit apo të historisë të ndikuara nga përdorimi i drogave të ndryshme. Këtë vepër të Huxley-t e kanë cilësuar si letërsi anti-utopike për një shoqëri anti-utopike. Për kontrolluesit e botës, shoqëria ideale është ajo ku shkenca gjenetike e çon racën njerëzore drejt përsosjes.

 

Jo gjithë dritën mund ta shohim – Anthony Doerr

Një libër bestseller, kjo është historia e ndjerë e një vajze të verbër franceze dhe një djali gjerman, rrugët e të cilëve kryqëzohen në Francën e pushtuar dhe të dy përpiqen t’i mbijetojnë shkatërrimit të Luftës së Dytë Botërore.

 

 Krenari dhe paragjykim – Jane Austen

Një nga klasikët e letërsisë, ky roman sjell një nga historitë më të njohura të  dashurisë. Pena e përsosur e Austen e tërheq lexuesin në një univers që i përket po aq të kaluarës sa edhe të tashmes, në një shoqëri ku ballafaqohen materializmi dhe ndjeshmëria, qenia femër dhe mashkull, e vërteta dhe gënjeshtra.

 

Fahrenheit 451 – Ray Bradbury

Guy Montag është zjarrfikës. Në një botë ku sundon televizioni dhe letërsia është në prag të zhdukjes, zjarrfikësit ndezin zjarre në vend që t’i shuajnë ato. Puna e tij është të shkatërrojë të gjithë librat e printuar dhe shtëpitë që i kanë ata.