skip to Main Content

 “Ne të tre”, nga Fatos Kongoli. Letra e mikeshës së tij për miqësinë me djemtë. Duhet lexuar…

Libri “Ne të tre” nga Fatos Kongoli është shkruar i bazuar në gjithë ngarjet nga realiteti i vetë autorit. Është shkruar në formën e një libri autobiografik me rrëfimet e ngjarjeve të përditshme. Në vijim do të kemi mundësi të lexoni një pjesë nga letra që mikesha e tij i dërgon Fatos Kongolit. Ata kishin kaluar pushimet verore bashkë dhe mikeshës së tij nuk i pëlqeu mënyra se si ai i kishte folur dhe e kishte trajtuar. Letra përmbledh edhe një vështrim të përgjithshëm lidhur me shoqërinë midis një mashkulli dhe një femre. Një këndvështrim i tillë mund t’ju habisë, ose mund t’ju bëjë të bini dakord me mendimin e vajzës në fjalë. Për më tepër, lexoni rreshtat më poshtë:

“Më vjen keq që u tregova aq e sinqertë. Të gjithë ju djemtë qenkeni budallenj, egoistë. Ju ose nuk e kuptoni ç’është miqësia e vërtetë, ose e kuptoni në mënyrë të trashë. Nuk guxon të afrohesh pak me ju, nuk guxon të kërkosh një miqësi të pastër, sepse ju do të fryheni si gjela. Nga ana tjetër shiteni për trima të zgjuar; me një mirësjellje të shtirë, si struci që fut kokën në rërë dhe kujton se nuk e shohin.

Sikur ta dish se sa qesharakë bëheni! Kurrë në jetën timë nuk do të pranoj miqësi të tilla. Në qoftë se ty të kam lënë përshtypjen e një shoqeje llafazane, të bezdisshme, do të më vinte shumë keq. E përsëris, nuk jam e zemëruar, as e fyer prej teje. E lënduar, po! Jo vetëm nga fjalët që më the (dhe me ç’mendjemadhësi), jo vetëm nga sjellja aspak e hijshme, po nga mendimi që ti kishe formuar për mua. Sepse gjithë ajo që më përplase në fytyrë nuk qe e rastit”.

 

Leave a Reply