skip to Main Content

(Keq)leximi i frazave të njohura në letërsi…dhe çfarë do të thonë në të vërtetë

Ne i duam shumë shprehjet e shkurtra, ato që shpesh paraqiten si fjalë të urta nga njerëz të famshëm. Hidhuni një sy profileve të miqve në Faceboook dhe do të shihni që, përveç fotove, shprehjet janë ato që shpërndahen më shumë. Askush nuk i reziston dot një citimi të mirë libri. Problemi i vetëm është se disa prej citimeve më të njohura në letërsi u ka humbur  kuptimi i parë në të cilin janë përdorur. Këto citime përdoren aq shpesh në situata të ndryshme, sa njerëzit kanë harruar ose thjesht nuk e dinë më për çfarë janë shkruar.

 

“Po rojën kush e ruan?”

Kjo është një nga shprehjet e mia të preferuara. Është kaq e gjetur dhe vlen për kaq shumë situata. Njerëzit në përgjithësi vdesin ta përdorin këtë shprehje të poetit romak Juvenal kur vënë në pikëpyetje autoritetet dhe njerëzit me pushtet.

Por qëllimi origjinal i përdorimit të kësaj shprehjeje është në fakt seksist dhe misogjinist. Në kontestin e poemës, poeti nuk argumentonte kundër qeverisjes, por martesës, sepse ai besonte se të gjitha gratë janë gënjeshtare dhe tradhtare.

 

 “Dy rrugë të ndara në pyll dhe unë ndoqa atë më pak të shkelurën. Kjo bëri gjithë ndryshimin”.

Një nga poezitë më të njohura amerikane, këto vargje të Robert Frost janë shumë të dashura për lexuesit dhe jo vetëm. Çështja është që këto vargje përdoren në një kontekst ndryshe nga ai që kishte ndërmend Frosti. Sot njerëzit i interpretojnë këto vargje si një vendim për të shtruar fatin tënd, për të gjetur rrugën nëpër të cilën kalojmë në jetë. Në të vërtetë, Frost  e shkroi për një mikun e tij, Edward Thomas, për të cilin besonte se ankohej shumë për ato që “mund të kishin ndodhur nëse…”. Poezia synonte të shprehte idenë se nuk ka shumë rëndësi se çfarë rruge marrim, jeta ndodh.

 

“Paraja është nëna e gjithë të këqijave”

Shprehja e saktë në fakt është: “Dashuria për paranë është nëna e të gjitha të këqijave” dhe nënkupton se lakmia dhe dëshira e shfrenuar për pasuri janë në thelb të problemeve njerëzore. Por me kalimin e viteve, kjo shprehje e cunguar më shumë krijon idenë se paratë e shumta thjesht hapin probleme.

 

“Oh, kjo dashuri që rrotullon botën!”

Një shprehje e bukur për kartolina romantike, apo ajo? Dhe e marrë kështu e shkëputur është vërtete një përkufizim mbi ndjenjën hyjnore.

Por Lewis Carroll e vuri këtë shprehje në gojën e një prej personazheve më të tmerrshme dhe të dhunshme të botës së tij të çudirave. E thënë në një mënyrë sarkastike dhe gati-gati mizore, qëllimi nuk është aspak përdorimi i saj në betimet e martesave.

Përgatiti: Elona Qose