skip to Main Content

Librat që duhen lexuar patjetër në vjeshtë

Rrugët janë veshur me gjethe, temperaturat po ulen… kushtet perfekte për të lexuar një libër të mirë, ndërsa rrufisni diçka të ngrohtë. Përveç arsyeve se përse kjo stinë është perfekte për adhuruesit e librit, ja disa tituj idealë për ditët e vjeshtës:

 

Zjarret e vjeshtës – Irene Nemirovsky

Subjekti i romanit fillon me Luftën e Parë Botërore dhe mbaron me të Dytën, pak përpara se vetë autorja të rrëmbehet nga kthetrat e çmendurisë njerëzore. ‘Zjarret e vjeshtës’ është një roman për luftën, për dashurinë, për pasionin, për rininë e humbur, për pabesinë e tradhtinë, për kotësinë, zhgënjimin, po edhe për lumturinë, që gjendet, si shkëndija të vogla, por gjithnjë të pranishme, mes kaosit, hidhërimeve e dëshpërimeve të jetës.

 

“Rebeka” – Daphne du Maurier

Në Montekarlo, një vajzë e re e njohur në shoqëri, martohet më vejanin e pasur Maksim De Uinter. Por, në shtëpinë e tij në Manderlej, në Kornovalja, kujtimi fiksues i gruas së parë, Rebeka, ushqehet nga një guvernante ekscentrike, duke e çuar vajzën drejt caqeve të çmendurisë, derisa deti rikthen kufomën e Rebekës. Nëse ende nuk e keni lexuar, atëherë shfrytëzoheni këtë periudhë të vitit për t’u zhytur në këtë histori rrëmbyese.

 

“Hija e erës” – Carlos Ruiz Zafon

Një mëngjes, në vitin 1945, pronari i një dyqani modest librash të përdorur, shoqëron të birin 11-vjeçar, Daniel, në zemër të qytetit të vjetër të Barcelonës, në varrezat e librave të harruar, një vend, ku gjenden mijëra libra të harruar nga koha. Këtu, Danieli gjen librin e mallkuar, që do t’i ndryshojë jetën. Nëse je i trishtuar për fundin e verës dhe do një histori ku të zhytesh komplet, atëherë fillo ta lexosh këtë libër!

 

“Një vjeshtë pa kthim” – Irma Kurti

“Një vjeshtë pa kthim” është  një përmbledhje me tregime, në të cilat personazhet dashurohen, prekin me dorë lumturinë, por pothuaj gjithnjë edhe zhgënjimin. E pikërisht nga kjo dhimbje lind ose, më mirë, duhet të lindë forca për të ecur përpara, për të jetuar të përditshmen pa atë gjysmën tjetër që sapo është humbur. Rrethi mbyllet aty ku fillon një udhë e re, një jetë e re që nuk është gjë tjetër veçse një udhëtim drejt vetes për të kuptuar pse-të e gjithçkaje që ka ndodhur e do të ndodhë. Gjithkush është i lirë ta jetojë “periudhën pas” siç e ndjen, siç e mendon, por të paktën me dëshirën për të shkuar përpara e për të gjetur qetësinë e humbur.

 

Pafajësi vrastare – Nora Roberts

Kerolaina Uevërli, një violiniste me shumë emër, vjen në qytezën e Pafajësisë në Misisipi për të marrë veten pas një turneu dërrmues për trupin dhe shpirtin e saj. Teksa qëndron në shtëpinë e së gjyshes, në vend që të bëjë pushime të qeta e çlodhëse, bie pre tensionesh të forta e një serie vrasjesh të pazbuluara që tronditin qytezën. Teksa mblidhen lloj-lloj dyshimesh e dashaligësish, Kerolaina njihet me një pjesëtar tërheqës e të rrezikshëm të një familjeje të pasur e të trazuar të atij vendi. Frika se mos lëndohet sërish shpirtërisht del në plan të dytë përballë rrezikut real vdekjeprurës që përvidhet nëpër qytezë.

 

“Shtëpia e shpirtrave” – Isabel Allende

Kryevepra e Allendes, “Shtëpia e shpirtrave” është historia e një familjeje kilene, e treguar në katër breza. Një sagë familjare, ku realiteti përzihet me të magjishmen.