skip to Main Content

“Sa më keq për të tjerët, aq më mirë për mua”. Fragment reflektues nga romani “Njeriu që qesh” i Viktor Hygo

Xhelati kur përdor hekurin e skuqur, digjet pak edhe vetë, por kjo nuk i bën asnjë përshtypje. Ngaqë tjetri vuan më shumë, vuajtja jote s’të duket asgjë. Kur sheh sesi përpëlitet ai që torturohet për vdekje, të pushon menjëherë çdo dhimbje. Dëmto sa të mundesh, pa le të bëhet ç’të bëhet. Kur u bëni njerëzve keq, ju merrni përsipër një farë përgjegjësie.

Duke vënë tjetrin në rrezik, ju vini edhe jetën tuaj në rrezik, sepse rrjedha e ngjarjeve mund t’iu përmbysë pa pandehur edhe ju. Por kjo nuk e ndalon njeriun që është me të vërtetë i keq. Vuajtjet e njerëzve janë gëzim për të. Ai dëfren kur sheh tjetrin që sfilitet. Vuajtjet e ngazëllejnë pa masë. Atij i këndon zemra kur sheh tortura. Ambicie, lakmi janë fjalë që duan të thonë se dikush flijohet për të kënaqur tjetrin. Sa gjë e trishtuar: edhe vetë shpresa mund të ketë një kuptim të mbrapshtë.

Të kesh mëri dikë, do të thotë t’i duash të keqen. Pse jo të mirën? Mos vallë sepse vullneti ynë priret më shumë nga e keqja? Një nga detyrat më të rënda për njeriun e drejtë, është të shkulë vazhdimisht nga shpirti i tij një keqdashje që mezi duket. Pothuajse të gjitha dëshirat tona, po t’i këqyrësh hollë përmbajnë diçka që do na vinte turp t’i rrëfenim.

Por keqbërësi i përsosur – dhe në botë ka vërtetë një përsosuri të fëlliqur – ndjek këtë rregull: sa më keq për të tjerët, aq më mirë për mua. Ndërgjegjja e tij është një gufë e errët…

Leave a Reply