(S)e ka shkruar Hemingueji?!
Në vijim të shkrimeve mbi krijimet që njerëzit gabimisht ua atribuojnë shkrimtarëve të ndryshëm, sot zgjodha një poezi, që rëndom nëpër rrjete sociale në të gjithë botën shpërndahet me emrin e Ernest Heminguejit. Prej ditësh kam kërkuar në internet informacione mbi zanafillën e kësaj historie, por askush nuk e di tamam kur nisi të shpërndahej dhe kush mendoi t’i vinte autorësinë e shkrimtarit të njohur.
Ti nuk je një numër vitesh,
as masa e rrobave që vesh,
nuk je peshë,
as ngjyrë flokësh,
nuk je emri që mban
e as qukat nëpër faqe.
Ti je ajo çfarë ke lexuar
dhe gjithë fjalët që shqipton.
Ti je zëri i ngjirur mëngjesor
dhe buzëqeshja që rrekesh ta fshehësh.
Ti je ëmbëlsia e një buzëqeshjeje
dhe çdo lot që derdh.
Ti je kënga që fort këndon
kur je vetëm.
Ti je gjithë vendet ku ke qenë
dhe ajo që quan shtëpi.
Ti je çfarë beson
dhe njerëzit që dashuron.
Ti je kujtimet e stampuara
dhe e ardhmja që ëndërron…
Je krijuar nga kaq shumë bukuri,
që mënjanë e le
kur vendose të përcaktohesh
nga gjithë gjërat që nuk je.
Por të paktën zbulova autoren e vërtetë të kësaj poezie interesante. Poezia është shkruar nga një poete e re australiane, 22-vjeçarja Erin Hanson.
Tre vite më parë, Hanson nisi të postonte në rrjet poezitë e saj dhe në vend të emrit të plotë vinte vetëm inicialet, E.H. Me shumë mundësi, dikush i ka menduar si inicialet e Ernest Heminguejit dhe poezia u bë virale me emrin e autorit amerikan.
Elona Qose