skip to Main Content

Bukuria që vret

 Migjeni

Hana e zbetë, si fytyra e nji të vdekuri, kundron nga kupa e qiellës. Kundron botën e maleve të kristalizueme nga bora. Kundron kasollat e kristalizueme të katundit, të cilat as frymë nuk marrin. Të gjitha janë mbështjellë në bardhsin e borës. Vret shpirtin e malsorit siç vret shpirtin e artistit shtatorja e bardhë e nji grue së lakuriqët.
E në kasolle, e cila gjëmon nën barrën e borës, derdhen dy ngjyra kuq e zi. I kuq zjarmi i votrës në mes të kasolles e i zi rrethi. Të zeza, t’errta janë skutat e kasolles, nga ndigjohet blegrim i mekun i ndoj delje ose kumbona e lopës. Edhe ato i vret bukuria e bardhë. Nga goja u del avulli i afsheve që ngrihet n’ajr, bjen mbi qimet e tyne si brymë dhe kristalizohet. Heshtje. Gjithçkafja e kristalizueme.

Nji dorë shtrihet, zen nji dru e shpupurish zjarmin. Rropos nji botë gacash. Flaka lëpin errësinën e shkëndijat kërcejnë nën tra dhe nëpër fëtyra rreth votrës. E trupnat e njerzve dridhen, nëpër kurriz u përshkohet të ftoftit, që vjen nga skutat, andej nga errsina.

Brrr…uf… andej mbrapa shpinet përpijnë errsina me të ftohtit e saj.
-Po shiko mos ngrinë Laroja!
Dhe çohen, i lëshojnë vend rreth zjarmit Laros, lopës së shtëpisë. Të nxehet edhe ky pjestar familje në kasollen e kristalizueme. E Laroja din si duhet me u shtrimë rreth zjarmit. Po me trupin e saj të math gati shtypi dy vocrrakë, të cilët i kish zanë gjumi pranë zjarmit.
E kur, andej nga mesnata, acarimi arrin dhe kulmin e vet, atëhere ndër bagëti fillon nji lëvizje. Po, nji lëvizje. Nji nga nji u aviten njerëzve e me syt e vet si me u lutë: ”Na lëshoni dhe neve të ngrofemi pak rreth zjarmit, se ngrimë”. Dhe njerzit kundrejt njerzve s’kanë mëshirë, po kundrejt shtazve po. Prandej çohen, ua lëshojnë bagëtis vendin rreth votrës, e ata vetë shkojnë n’errësinë që përpin.
…Dhe agimi zbardhë me bukurinë e bardhë që vret. Çohen njerzit me trupnat e mpime dhe me kujtim në ndërgjegje se u kalua dhe nji natë e vështirë. U çuen, por nuk çohet nji vocrrak. Dora e s’amës shtrihet bi të dhe m’at çast nji britmë e tmerrshme shpon zemrat e kasolles. Dhimba e nji nane i shkrinë zemrat në vaj, por ç’e do kur nuk shkrin zemrën e vocrrakut.
Po, ishte ngrimë lokia e nanës. Gjaku i tij i kuq dhe i purpurt ish ngrimë ndër dej dhe në zemër, ish bamë kristal, ish ba rubis, për gjerdhanët e metresave. E trupi i vocrrakut, i lokes së nanës, ishte bamë nji shtatore e ngurtë e zhgulun nga gjini i nanës.
Merrnje dhe çonje në qytet kët shtatore. Vendosnje në nji shesh dhe si përmendore kushtonja ndokujt. Kushtonja atij që ka ma shumë merita për kët vend! Po, ndoj ministrit o deputeti, o ndokuj tjetër… E në rasë se nuk gjeni ndoj njeri që ka merita të mjaftueshme, atëherë kushtonja atij që ka merita ma pak: perëndis klasike.