skip to Main Content

Ndoshta… të pres

Kaloi kohë dhe ti s’më ke shkruar asgjë. Është natë. E gjitha e mbushur me yje. Sa do të doja t’i shikonim bashkë, por jo, ti ike dhe s’u ktheve më. Më le si kujtim vetëm atë buzëqeshjen e ëmbël që edhe akujt i shkrinte. Si duket jam puqur me vetminë. Unë kurrë s’e kam dashur atë. Ajo thjesht më vështron, më qeras me një dhimbje boshllëk, me një gotë lot hidhërimi që veçse mbushet e derdhet mijëra herë. Dhe ti s’u ktheve. Pse vallë? Nuk të ka marrë malli për mua? Dhe unë mbyll sytë si një fëmijë që lutet për një ëndërr të bukur, si një fëmijë që flet me ëndrrën për ta përjetuar atë si të vërtetë, por është heshtje. Nuk dëgjohet asgjë veç frymës sime të vuajtur. I them vetes ja ku është sërish, ashtu siç e njohe në fillim, ndoshta po të pret, ndoshta po kërkon një fjalë nga ty. Një fjalë e verbër që kërkon të gjejë një zemër që qan, një zemër që dëshiron të flejë në krahët e një buzëqeshje të ëmbël, një fjalë e verbër që kërkon të të gjejë ty. Po ti s’je aty. Pyeta detin në të kish parë, një fjali më çoi: “Era e lehtë i përkëdhel fytyrën, buzëqeshjen ngadalë ia vjedhin dallgët e detit, një ëmbëlsi që u tret në lot”. Të kërkoj nëpër copa qielli si rreze drite, të gjej tek yjet që pasqyrojnë sytë e tu, tek ylberi që ti veçse i jep shkëlqim dhe gjithë jetës sime i jep kuptim. Po kjo është ëndrra ime, të lutem mos ma merr sepse unë me të jetoj. Po të shkruaj ca fjalë, por e di se nuk do t’i lexosh. Sa do të doja që këto fjalë të të pëshpërisnin ty në vesh që të më ndjesh, por jo ti ike dhe s’u ktheve më. Kalojnë netët dhe ti akoma nuk vjen. Net, lot, vetmi. Ëndrra që janë mbyllur në qelinë e pritjes. Një bojë e errët që më ngjyros dhimbjen. Ca mendime që struken në errësirë. Po harrohem me buzëqeshjen, po fle me diellin, po qesh me vetminë sepse ti s’je aty. Po ku u fshehe xhanëm, apo mbete aty në qytetin ku dëshirat s’e ndjekin më ndjenjën? Lamtumirë! Më premto se fjalë, buzëqeshje do më dërgosh. Ndoshta s’do të të shoh më, por më premto se magjinë e jetës kurrë s’do ta lëshosh. Ndoshta, ndoshta… do të pres të shoh se si do t’ia dalësh edhe pa mua. Do pres të të shoh si ecën, si qan, por vështrimi yt… mënyra se si ti vështron më lë këtu si statujë që s’di të japë as të marrë, por veç të adhurojë në fshehtësi.

F.U.