skip to Main Content

Personazhet reale pas doktor Xhekill dhe zotit Haid

Të gjithë e dinë historinë e doktor Xhekill dhe zotit Haid: një shkencëtar i njohur, doktor Xhekill, pi një përzierje që e shndërron në një monstër, i tmerrshmi zoti Haid. Është një histori horrori, ndër më të njohurat në botë, që është treguar dhe ritreguar qindra herë.

Gjithmonë njerëzit kanë pasur interes të dinë nëse libri i Robert Louis Stevenson është bazuar në, mbase jo histori, por personazhe të vërtetë.

 

Autori skocez Robert Louis Stevenson kishte zënë shtratin nga sëmundja kur nisi ta shkruante historinë. Sipas nipit të tij, ai e mbaroi dorëshkrimin në tri ditë dhe ia dha të shoqes, që ta lexonte dhe redaktonte. Bashkëshortes së Stevenson i pëlqeu historia, por sipas saj, në atë variant, humbiste e gjithë alegoria, pasi mungonte i ashtuquajturi komenti social. Robert e dogji dorëshkrimin dhe e rishkroi historisë.

Për ta shkruar, ai u mbështet në dy personazhe të vërtetë.

I pari ishte borgjezi Deacon Brodie, një zejtar shumë i zoti në Edinburgun e viteve 1700. Vinte nga një familje e respektuar dhe kishte bërë studio dhe brava për familjet më të pasura të zonës.

Por ndërsa gjatë ditës ishte borgjez, gjatë natës ai përdorte kyçet e bravave që kishte bërë vetë për të hyrë në banesa e për të vjedhur, në mënyrë që të përballonte vesin e kumarit dhe dashnoret sekrete.

Për dy dekada, Brodie bëri jetë të dyfishtë derisa u kap duke vjedhur zyrën e taksave. 40 000 njerëz panë varjen e tij publike.

Brodie u ekzekutua shumë kohë para se të lindte autori Robert Louis Stevenson, i cili megjithatë gjatë adoleshencës ishte i obsesionuar pas kësaj historie.

Personazhi i dytë mbi të cilin është mbështetur Stevenson ishte shumë më i afërt. Eugene Chantrelle ishte një mësues francez, mjek i dështuar dhe mik i shkrimtarit. Të dy takoheshin për të pirë diçka herë pas here. Chantrelle ishte interesant dhe inteligjent dhe Stevensonit i pëlqente shoqëria me të…

 

Deri kur Eugene Chantrelle vrau të shoqen.

 

Jo vetëm kaq. Gjatë procesit gjyqësor dolën të dhëna të tjera se Chantrelle prej kohësh ishte një dhunues seksual dhe vrasës; ai kishte helmuar të paktën 5 gra. E shoqja, Lizzie, ishte 16 vjeçe dhe shtatzënë kur  ata u martuan. Kur e vrau për të marrë të hollat nga sigurimi i jetës, ata kishin tre fëmijë bashkë.

Stevenson u tmerrua. Ai mori pjesë në procesin gjyqësor, që e la të traumatizuar.

 

Shënimet e bashkëshortes së autorit tregojnë qartë se këta dy persona ishin frymëzimi për krijimin e doktor Xhekill dhe zotit Hajd. Megjithatë, nuk është se Stevenson besonte se këta burra realë ishin shndërruar në monstra të vërteta nëpërmjet ndonjë përzierje kimikatesh. Thelbi i librit të tij është krejt e kundërta. Stevenson besonte se Xhekill ishte njeri i keq pa e pirë locionin. Xhekill ishte mizor dhe dhuna i jepte kënaqësi, por kjo jetë binte në kundërshtim me figurën e pastër të doktorit të respektuar, kështu që ai krijoi Haidin, si një mënyrë për të justifikuar dëshirat e tij kriminale dhe krimet e tmerrshme që donte të bënte.

Xhekill mund të flinte i qetë natën, sepse në mendjen e tij dhe për botën ishte Haidi që i kryente krimet, jo ai vetë.

 

Kjo histori vijon të mbetet e vërtetë për sa kohë të gjithë Xhekillët e respektuar nëpër botë refuzojnë të mbajnë përgjegjësi për Haidët në ndërgjegjen e tyre.

 Përgatiti: Elona Qose