skip to Main Content

Shuhet Fatos Arapi

Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur Fatos Arapi, pas një sëmundjeje shumëvjeçare.

Fatos Arapi lindi në vitin 1929 në Vlorë. Po atje ai kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në Fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar për shumë vite gazetar dhe pedagog në Fakultetin e Histori Filologjisë së Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 fitoi “Kurorën e artë” në manifestimin poetik “Mbrëmjet e poezisë strugane”.

Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë, Arapi ka shkruar disa novela: “Patat e egra”, 1969; “Cipa e borës”, 1985; “Gjeniu pa kokë”, 1999 etj.; disa romane: “Dhjetori i shqetësuar”, 1970; “Shokët”, 1977; “Deti në mes”, 1986 etj. Po ashtu ka lëvruar përkthimin: “Këngë për njeriun”, Nikolla Vapcarov, 1981; “Poezi”, Pablo Neruda, 1989; “Safo”, 1990, si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.