Si të realizosh listën e librave për të lexuar sipas stinëve
Të bësh një listë me libra për të lexuar sipas stinëve është disi e komplikuar, pasi mund të kenë domethënie të ndryshme sipas personalitetit të njerëzve, vendit ku jetohet dhe eksperiencave personale. Por, të krijosh një listë leximi sezonale të jep dhe mundësinë të përzihen llojet e librave që normalisht do të lexohen, madje dhe të emocionohesh për ndryshimet e kohës. Sipas “Bookriot”, ja katër mënyra sipas të cilave mund të krijohet një listë librash sipas stinëve:
Lloji
Strategji marketingu, apo gjendje shpirtërore e njeriut, ekzistojnë disa lloje librash të lidhura me sezone të caktuara. Vera është plot me “libra plazhi”, vjeshta me libra horror, dimri karakterizohet nga romane historike dhe mistere intriguese. Por, ka nga ata që preferojnë të lexojnë romane historike në pranverë. Dhe nëse dëshirohet të lidhen lloje të ndryshme me sezone të caktuara, kjo është një mënyrë më e thjeshtë për të krijuar listën, sepse ndoshta është bërë ndërkohë në mënyrë të pavetëdijshme.
Periudha e vitit
Një mënyrë e thjeshtë për listën sezonale është ajo e gjetjes së librave, ngjarja e të cilëve zhvillohet në të njëjtën periudhë të vitit. Mund të seleksionohen romanet që përqendrohen te rikthimi në shkollë, të zgjedhësh një libër që flet për pushimet verore apo ato dimërore. Pushimet janë tregues i qartë për stinët. Të gjesh libra me shtriga e fantazma për vjeshtën mund të të sjellë dëshirën për atmosferën e Hallouinit. Nëse jeni duke u përgatitur për periudhën festive të fundvitit, është e mundur të seleksionohen libra që flasin për ushqimin apo histori për ribashkimin e familjes.
Moti dhe pozicioni
Koha është tregues i qartë për stinët, kështu që duke zgjedhur libra që flasin për një klimë apo lokalitet që vihet fort në dukje mund të ndihmojë për të pasur humorin e duhur për stinën. Është e mundur të gjendet një libër që flet për një stuhi dëbore apo për një zonë arktike për dimrin, ose të zgjedhësh diçka të ambientuar në tropik apo Karaibe për verën.
Kopertina
Nëse këto mënyra për të zgjedhur një libër janë shumë të thjeshta, atëherë mund të bëhet në bazë të kopertinës. Për vjeshtën, mund të lexohen libra që kanë ngjyra të arta, si gjethet e pemëve që ndryshojnë ngjyrë. Në dimër, mund të anohet nga librat kopertina e të cilëve ka ngjyra të kuqe dhe jeshile, si krishtlindja, ose të metalizuar, për ardhjen e viti të ri. Ose, mund të zgjidhen libra me kopertinë me lule, për pranverën, ato me ngjyrat e diellit apo ylberit, për periudhën e verës.
Elona Qose