skip to Main Content

Jehonë… duke pritur librin e katërt me poezi të Brikena Qamës që sapo doli nga shtypi

 

Poezia e Brikena Qamës nis udhëtimin e saj me përmbledhjen me poezi ‘’Manastiri i ëndrave’’, duke shpalosur në vargjet e saj brishtësinë e mendimeve, trazimet shpirtërore, përjetimet, ëndrrat e mbështjella në thellësitë e brendësisë së një manastiri gjigant, gjysmë të errët dhe të lagësht. Është e përditshja jonë një i tillë manastir, i cili nuk pengon një poet të gjejë forcë në vargun e tij duke e përcjellë atë tek ne. Duke kumbuar me forcën e tij në një tjetër përmbledhje poetike ‘’Bota poshtë takave’’ ku ndërthuret forca dhe brishtësia në vargjet e Brikena Qamës. Këto dy anë të karaktrit të saj e bëjnë më të plotë poezinë dhe më të fortë mesazhin që ajo na përcjell. Ajo mendon, mediton, përjeton dhe bisedon duke komunikuar drejtpëdrejt me ty, me mua, me ne, me ju. Motivet që ajo trajton janë të shumëllojshme. Gjithçka që e rrethon nuk është kalimtare për të, nuk ikën pa u vënë re prej saj.
“Vetëm më duaj”, kështu i drejtohet ajo atij që ‘’Shfaqet sërish/ me vellon gërryese’’ dhe e bën të ‘’… lëpijë plagët që i përvëlojnë’’.
‘’Unë fle e zgjohem/ me ankthin e pritjes….’’ thotë ajo tek poezia ‘’Dritëhije’’, ‘’Por edhe nëse vjen/… Mos fol../ Vetëm më prek…’’
A ka forcë më të madhe sesa ajo e dashurisë? Sigurisht që jo. Ajo trondit një botë të tërë dhe një pafundësi shpirtrash. E pra, kjo forcë e përshkruan gjithë qënien poetike të kësaj vajze që e karakterizon çiltërsia dhe sinqeriteti. ‘’Nuk do të lodhesha kurrë/ së bëri dashuri me ty/ akoma dhe tani/ që vendose të mos më shohësh më/ si më parë’’ Kjo forcë, brenda së njëjtës poezi, shdërrohet në brishtësi. ‘’Unë përkëdheljen tënde, e dua/ qoftë kjo e koncentruar/ në një prekje’’
Ajo e ndien se dashuria pranë saj është ‘’ Një rreze që lajmëron për ditën e re..’’, ‘’Një ëndërr, /më e bukura ëndërr’’. Ajo na bind se kjo forcë ndjenjash është e pashndërrueshme dhe të fal vetëm jetë. Ajo të fal liri, gjithmonë liri, pavarsisht kafazit imagjiinar rrethues që poetja nuk i trembet. ‘’Nuk i kam frikë hekurat /që më burgosin brenda teje…’’, thotë ajo në pozinë ‘’Të betohem’’ dhe tek ‘’Manastiri i ëndrave’’ duke na bindur akoma më shumë se ky kafaz është më i shenjtë se gjithçka, në marrdhëniet e bukura ndërnjerëzore, shton: ‘’… i ruaj lotët për luturinë që më kap/ sa herë hap sytë/ dhe shoh veten strukur/ brenda kutisë që ke ndërtuar rreth meje.’’ Vërtet, kjo forcë ndjenjash e bën të mos i trembet ‘’…hapësirës së kufizuar/ të një shpirti të vetëm’’, por njëkohësisht gjen dhe forcën të iki larg dhe të braktisë gjithçka është e gënjeshtërt në jetën e saj. Një antitezë e fortë, na i bën më të qartë këtë ‘’Koha pushoi së ecuri’’- shkruan, ‘’…por unë po iki/ pa kthyer kokën pas’’.
Meditimi poetik i Brikena Qamës nuk ndalet vetëm në sa thashë më lart. Do të ishim cinikë nëse do të mendonim kështu. Shpirti i saj është më i gjerë. Vargu i saj rrëshqet zhurmshëm viseve të vendlindjes së saj, ulet butë pranë oxhakut të mbarsur me kujtime nga aneksi 2 me 4 i fëmijërisë, trazon me ankth rrëmujën e kujtesës së saj duke sjellë copëza jete që nuk harrohen kurrë. I kushton poezi qytetit të bukur, Sarandës, shoqeve të saj dhe kulmon me pezinë (gjithmonë sipas mendimit tim, sigurisht) ‘’Dhomat e hadit jepen me qira’’.


Me përbledhjen e saj të dytë me poezi ‘’Bota poshtë takave’’, Brikena Qama vjen më e komletuar në mendimin e saj krijues. Kjo na jep të kuptojmë se ajo vazhdon dhe do të vazhdojë të ngjisë me durim shkallët e vështira të krijimtarisë, pa ndaluar aspak.
‘’Letrari, thotë Sulejman Mato, tek libri i tij ‘’Arti i të shkruarit’’, nuk duhet të dekurajohet nga vështirësitë që has në krijimtari, as nga qortimi që mund t’i bëhet veprës së tij. Ai duhet të jetë i armatosur me një bindje të fortë, e cila e bën atë të ecë përpara dhe të ketë një vetëdije të pacenueshme’’
Dhe kështu ndodhi . Libri i tretë «Titulli i kujtimeve të mia» i Brikena Qamës është thellim në mendime filozofike të cilat shoqërohen nga një tis ëmbëlsie të hidhur dhe nga një ironi djegëse.
E lexova në dorëshkrim. Pas çdo poezie që lexoja, ashtu pa dashje, kaloja nëpër mend dy librat e tjerë të saj. Duke kujtuar motive dhe vargje nga krijimtaria e saj e kaluar, dhe duke mbajtur në dorë poezitë e fundit, të cilat prisnin radhën për t’u përjetësuar në faqet e librit të saj të tretë, më shfaqeshin para syve tre monopate, vazhdimësi e njëri-tjetrit. Tre monopate të vështira të ngjitura shpërthyeshëm , të përshkruara me nuanca ngjyrash të ndryshme emocionale, me karakteristika të veçanta poetike. Tre monopate që ndriçohen nga i njëjti diell përvëlues poetik, të cilit fillova t’i fantazoja vendndodhjen.
Dimë që poetët ngrenë artistikisht çastin jetësor për ta rijetuar atë në vargje, ndërsa ne, lexuesit zhdërvjellësojmë fantazinë tonë duke përjetuar e ndjerë ato çaste vargjesh me imagjinatën tonë, ndoshta shpesh të shthurur. E kështu, edhe tek unë, mbas çdo rileximi dhe rikujtimi të vagjeve të Brikena Qamës, filloi të sendëzohet dita e plotë me një trajektore të tillë diellore, e cila nis nga mëngjesi deri në mbrëmjë duke dhënë ngjyra drite. Libri i saj i parë «Pëshpërima brenda meje» zuri vend tek monopati i parë, ku dielli mëngjesor përkëdhel ëmbël, fillon e rrëshqet guvave shpirtërore për të falur ngrohtësi. Sapo kjo tufë poezish u rehatua aty, dielli përvëlues i mesditës mbështolli atë shtrëngatë të furishme të vagjeve me lirika ndjenjash flakëruese të librit të dytë «Bota poshtë takave». Monopati i dytë mbulohet nga llava e shpirtit që di të dashurojë, di t’i këndojë poetikisht kësaj ndjenje të bukur njerëzore, që di të të tërheqë në thellësitë e mendimit të vullkanizuar.
Dhe tani priste radhën libri i tretë për të hyrë mes trillit tim të shfrenuar… Dielli, zjarrminë e tij, tani e kishte kthyer në ngjyra, ngjyra ndjenjash, ëndrrash dhe revoltash. Ngjyra të pjekura, që thyhen e godasin shpirtin poetik, jo për të humbur brenda tij, por për të dalë që andej me vrull ashtu siç i shkon tashmë për shtat krijimit poetik të Bikena Qamës. Pikërisht, ajo çka përjeton apo përjetojmë, psikologjikisht dhe shpirtërisht, është koncetrati që e mban të freskët poezinë e saj. Nuk janë vetëm motivet e reja të cilat përcjell tek ne me vargjet e saj, por këndvështrimi i saj. Me elementet dhe copëzat jetësore të të përditshmes , atë që shpesh e anashkalojmë ose nuk e shohim, ajo ndërton pirgun poetik duke kompozuar metaforikisht dhe duke depërtuar në mendimin tonë dhe ndjenjat tona si lexues.
Libri i tretë «Titulli i kujtimeve të mia» përshkruhet nga një fill i përbashkët ëmbëlsie të hidhur , dhe një ironi djegëse, me një kompozim të ri me përmbysje triumfale në mbyllje të poezive.
«Veç të tjerash»/kur të nisesh për në parajsë/të të jap me vete dua /një kutizë ëndrrash tokësore.
Duke pëvëluar ironikisht vetveten në fund të kësaj poezie, shkruan:
ç’gjallesë e rëndomtë/akoma besoj se do të të mungoj.
Të fantazuarit e jetës së përditshme, si një SIZIF .. përpjetës me gurin mbi shpinë..tek poezia «Rutinë e domosdoshme» përcjell një mendim të thellë filozofik. Dhe si të japë një mësim vetes për pafundësinë e humbjeve të mundshme në jetë dhe boshllëkut të krijuar prej tyre, shkruan … veç, kur humbet rrëpirës /e zvogëlohet në sytë e mi /çalltem në përgjërim /që fati im të vazhdojë të jetë ky.
Pajtimi apo marrveshja me jetën, me rrokullimat e saj të pashmangshme, tregon pjekuri dhe forcë shpirtërore. ..veç diellin, shkruan, nuk mund ta bësh hajmali
Pjekuria shpirtërore, që asnjëherë nuk matet me vitet që mbart mbi supe njeriu, por me mënyrën e të jetuarit, dhe të menduarit përshkon edhe poezi të tjera të librit.
destinacioni im /qielli /shkallareve drejt tij /zbraz shpirtin pikë, pikë
Tek poezia «Pse ikin njerëzit?» ndjenja e humbjes tërhequr, duke u mposhtur para egzistencës së pandryshueshme dhe të patundshme jetësore:
..ajo mazë e qullët /brenda kafkës /përrallet kot /në gjetje të arsyes
Po! Asnjëherë nuk gjendet arsyeja e atyre që ndodhin. Dhe mbetet pas dhimbja, dhimbja që fisnikëron, e na sjell kujtimin e njeriut të dashur që iku nga jeta, duke mbajtur pas në kujtesë bukurinë e tyre pamore dhe shpirtërore ashtu siç bën poetja në poezinë: «Τezes që iku aq shpejt» ..sytë të qeshën edhe në çastin /kur morti… /…të priste te dera /t’i jepje duart /e të shkoje.
Por një «i ikur» ndryshe, një i ikur me ..copëza të shpirtit / në valiçen me rrota… na përcjell trishtim dhe zhgënjim deri në humbje të një armate njerëzore, në të cilën bëjmë pjesë, të një morie brezash në vite me radhë e në popuj të ndryshëm, që i bën të përfundojnë pa ..atdhe/ për strehim shpesash. Apo të mbytin dëshirat në një …shtëpizë/ të vogël/ për strehim ëndrash/ të huaj/ për të mirëpritur shpresën. «Të ikur» që në sytë e të tjerëve janë një Idil, por që në të vërtetë brenda vetes ..është mbledhur /ajo llavë shpërthimi. /(që dhe pse e tillë, është e padukshme)
duke e vënë ballë për ballë anën tjetër të medaljes Idil, i cili plotëson ikonën e tij tërësore në vargjet:.. zemërimi ndaj fatit, është i pavlerë /nëse nuk drynoset.
Poetja kryetitullon kujtimet e saj dhe ngre në art çdo çast që përjeton e rrethuar nga kjo botë që e detyron të shpërthejë duke refuzuar…/..një jetë /-ku pragu më ndrydh /-ku dita më është pak /-ku ajri më sëmur /-ku vazhdoj të “dua”
Kristalizon në mbylljen e poezisë «Në djall të gjitha», revoltën ndaj të padenjës që s’të lë të marrësh frymë, ndaj boshes së botës njërëzore, me vargjet:
Refuzoj /të jem e sjellshme ndaj gjithkujt-it /ndaj askujt-it /që rastësia e solli të më ulet /përballë.
Shpirti i saj poetik mbytet nga zhgënjimi që pëson prej njohjes së të vërtetës së hidhur dhe hipokrite, që shpesh na rrethon, por çuditërisht, kur e zbulojmë bashkëjetesën me të, na duket e pabesueshme që e kishim kaq pranë, sa mund të na kish infektuar me mikrobin e saj.
Më dhemb/ zhvirgjërimi i mendimit tim/ të dlirë. –shkruan.
Me një antitezë të fortë poetja na deklaron se nuk mund të heshtë, do vijë një çast dhe do të shpërthejë si tek poezia (shshshsh)..vetëm era e di ç’bart /vorbulla e mendimeve të mia /është si unë ajo /… /ndjehet /vetëm në përplasjen e kanatave.
Një poet sigurisht, është e pamundur të mos thuri vagje ndjenjës më të bukur, dashurisë. Por, megjithëse shpresa nuk vdes kurrë, siç bën edhe poetja: përkund shpresën me ninullën e ripërtëritjes ..në dashuritë e këtij vëllimi poetik.. ka diçka ndryshe. Një dashuri e thurur me bazë kohën e shkuar të foljeve, të cilat këtë ndjenjë e kanë rikthyer në një kujtim të dëshiruar. sa desha të ndal kohën; …ti ishe poezia ime e parë; …ëndra ime ishe gjithmonë ti; …do të lije të paktën adresën etj, Ajo ndihet Klinikisht e vdekur, në një moment ndarjeje, të cilin shpesh nuk duam ta besojmë, pavarsisht se e kemi parashikuar. Shpesh në këto momente njeriu krijon një vegim shpresash për të mbijetuar shpirtërisht, dhe ia vesh shkakun e të ndjerit në këtë mënyrë, diçkaje tjetër. Autorja metaforikisht ia vë fajin lotit, që lag vështrimin/ e zmadhon tmerrshëm largësitë. Ajo e di se iluzioni i ëmbël i krijuar prej fantazisë së saj përmban një ironi por përsëri dëshiron të zgjasë edhe pak edhe pse e gënjeshtert… hapja e syve/ do të të më kushtojë.
E kish fajin hëna- shkruan ironikisht- që trupat i bëri njësh me hijet /dhe pendimin /e la të priste ndanë rrugë, por tundimi i kujtimeve që davariten në mendimet e saj nxjerr një psherëtimë të thellë shpirti ..eh ç’t’i bësh kujtimit – thotë duke u dorëzuar para tij.
Megjithëse këto vargje të marra nga poezi të ndryshme na bëjnë të ndiejmë së bashku me poeten, ndarjen, humjen, ikjen,zhgënjimin, dhimjen, përsëri një tis i ëmbël përshkron imagjnatën e saj. Ajo mbledh yje e qëndis ëndrrën, sepse dashuria ka forcë të madhe, gjithçka e ndryshon, edhe drejtimin e rrotullimit të tokës, edhe orbitën diellore .. gjithçka do të ishte e imja/ nëse do të më përkisje- shkruan.
Poezitë në vëllimin e saj poetik«Titulli i kujtimeve të mia» karakterizohen nga një kompozim të tillë stilsik në mbyllje të tyre, i cili të çon në kthim, në një rishikim, në një ndryshim të fakteve, në tjetërsim të ritmit mendor, në një ribërje të asaj që përjetove deri në atë çast.
Në vargjet e saj nuk shpaloset vetëm mendimi, ndjenja, përjetimi i thënë poetikisht por parashtrohet para syve tanë ritmikisht një pjesë e plotë kinematografike e cila të krijon qartë në fantazinë tënde një histori me të shkuar, të tashme dhe të ardhme. Duke ndjekur këtë veprim «përtej vrimës së çelësit», ndjek një sekuencë të plotë filmi me fillim, mes dhe fund, me kuadrate të kursyera, por pikante, të domosdoshme dhe aspak të tepërta, duke ndërtuar pazëllin e një jete, e një pesonazhi me psikologjinë dhe botën e tij, me gjithçka që e rrethon, me hapësirën ku rrëshqet heshtur, për të thënë shumë.
Duke e mbyllur me mesazhin më gjenial: Dashurinë, «në vend të pasthënies» shkruan:
Dashuroj me zë
se dua veç këtë
të mbani mend prej meje.
Është imazhi që ndërton me mund për ta pikturuar përfundimisht në kujtesat tona, në kujtesën e kohës.

Në kujtesën e lexuesit që tani pret fillimin e një rrugëtimi të ri, në përmbledhjen e saj të katërt poetike «Dëshirat e mia perëndojnë çdo mbrëmje», që sapo doli nga shtypi.

Urime dhe suksese të mëtejshme, Brikena Qama!

Nga Alma Ibi Zekollari