“Rënia e dëborës”, poezia romantike nga Ismail Kadare. Ia vlen ta lexoni…
Ty ndoshta nuk të shkoi ndërmend
Se qielli rastësisht s’u mbyll
Se kjo dëborë që shtroi kudo
Në të vërtetë ra për ty.
U projektua çdo kristal
I saj në qiell të madh diku
Dhe nuk pushoi së rëni ajo
Gjersa i gjeti flokët e tu.
Që ti ta shkundje me një gjest
Shkujdesshëm krejt e gjithë gëzim
Një natë të tërë qielli punoi
me ernat në bashkëpunim.
Dhe në mëngjes i zbehtë ai,
I ftohtë hapej madhërisht,
ndërsa shëtisnim ne të dy
Nën altruizmin e tij të hirtë.