skip to Main Content

Copëza nga “Fantazitë e një gruaje” – Anatoli Toss

“Ndarja është vlerësuesi i paanshëm, i aftë të ngrihet mbi qejfmbetjet, mbi xhelozinë ose dëshirën për epërsi. Ajo ruan vetëm vlerën e vërtetë, ku bazohet dashuria, bashkëpunimi. Unë gjithmonë të kam dashur, por nga ta dija, siç e di tani pikërisht falë ndarjes, që ti je e vetmja që kam në jete? Që ti, në një farë mase, je… unë vetë? Kuptova, gjithashtu, që dashuria e vërtetë, sado e çuditshme të duket kjo, mund të ruhet vetëm kur je i ndarë. Ajo është sarkofagu, mbi përmbajtjen e të cilit koha nuk ka pushtet dhe, po ta pranojmë këtë, ndoshta ne të dy bëmë mirë që u ndamë. Sepse vetëm kështu mund të mbetemi përgjithmonë te njëri-tjetri. Të gjithë të tjerët, ata që do të jenë të pranishëm në jetën tonë, vallë, a kanë rëndësi, a kanë vlerë për ne? Ne e dimë që askush nuk do ta zërë te ti vendin tim, po ashtu, siç nuk do të të zëvendësojë asnjë tek unë. Ne sikur jemi të siguruar para njëri-tjetrit”.

“Telefoni është diçka abstrakte, e çastit. Ai s’ka lidhje as me kohën, as me njeriun, zëri sikur këputet gjatë shqiptimit, atë nuk e fikson dot në kohë. Ai nuk tejçon dot emocione të thella, por vetëm gjendjen e çastit, pa folur pastaj për ndjenja.
Letra është krejt ndryshe. Ajo kërkon kohë dhe mendim. Përveçse mbetet e përjetshme, ajo është më vetësore, atë mund ta lexosh disa herë dhe ta ruash… Çdo letër në thelb është vepër e krijuar vetëm për një person. Jo rastësisht i publikojmë letrat e njerëzve të shquar. Me një letër nuk i “lan duart” si me një telefonatë…”.

“As vetë s’e mora vesh kur nisa të të humbisja. Kur e kuptova ishte tepër vonë, tashmë kisha humbur. Tani e di pse ndodhi dhe ku ti ishe më e fortë. Në dashuri! Ti gjithmonë më mundje në dashuri; unë gjithmonë të doja më shumë nga sa më doje ti. Edhe kësaj radhe, dashuria ime qenkësh dobësia ime e vetme, thembra ime e Akilit dhe ti, me shumë zotësi, madje pa u matur fare, godite drejt e aty”.