skip to Main Content

Libri është porta e botës

-Stefan Cvajg

Aty ku ka libra, njeriu nuk e ndjen vetminë. Falë librit vihet në dijeni të arritjeve të së kaluarës dhe të sotmes, njihet me mendimin dhe ndjenjën e mbarë njerëzimit. Të gjitha ose thuajse të gjitha lëvizjet në sferën intelektuale janë të lidhura me librin, forma e shfaqjes së jetës shpirtërore të njerëzimit, që lartësohet mbi jetën materiale. Ajo që ne e quajmë kulturë nuk do t’i kishte arritjet që ka pa librin.
Për ne, banorët e mbretërisë së lashtë të shkrimit, leximi është bërë thuajse funksion muskulor, është veprim thuajse automatik, kurse libri, ky bashkudhëtar i yni që nga klasa e parë e shkollës, na është i pandashëm; është shumë i rëndësishëm, na është bërë aq organik, saqë pa qenë thuajse aspak të vetëdijshëm, e marrim në dorë të shkujdesur, pa kurrfarë drithërime, ashtu siç marrim xhaketën, dorezat apo cigaren, siç marrim çdo prodhim të përdorimit masiv. Prania e përhershme e thesarit bën që të venitet respekti për të. Vetëm në çaste krijimtarie, në çaste nevoje të ngutshme, libri shndërrohet në thesar që s’ka të çmuar, në objekt çudibërës. Vetëm në çaste krijimtarie intensive, vetëm kur zihemi në mendime të çdo lloji, arrijmë ta kuptojmë dhe ta çmojmë veprimtarinë e tij fisnike, forcën e tij magjike, jetëdhënëse. Dhe sot, ne bijtë e shekullit të ri, as që mund ta mendojmë botën tonë të brendshme pa praninë çudibërëse të librit…

Përktheu: Jorgji Doksani