skip to Main Content

Qyteti i fundit

“-Nuk ka për të ardhur, jo. Nuk vjen. Ç’më do mua? Ai e dëgjoi historinë e jetës sime. Ca më shumë shtoi dhe ai katili që deshi të më merrte shpirtin. Pse të vijë këtu? Të flejë me mua? Ai s’eshtë nga ata! Të më premtojë? Ai nuk premton! Të më pushtojë, se është nata e fundit? Të më mbajë? Jam, a s’jam në vete?! Ai është oficer…Ai ka rrugën e tij. Ç’më do mua? Të tallen shokët e tij me të? Pse t’i bëhem ferrë! Ai është kaq i mirë! Më dha dritë jete… Më bëri të kuptoj se në këtë botë paska edhe njerëz të vërtetë! Po ku janë këta njerëz të vërtetë? Vetëm një, vetëm Leka…Leka. Sa ia di për nder! Ndaj nuk vjen… Nuk do që unë të vuaj më… Nuk vjen,se ai s’di të tallet… Nuk vjen… Nuk vjen…

-Do të vijë patjetër…

-Nuk vjen! Kot e pres. E në ardhtë, ç’kuptova? Nesër unë iki…iki.

-Jo, unë e pres… dhe s’dua të iki. Ku do të vete? Kush më pret mua? Ë. Kush më pret mua?

-Unë e pres, se e dua, apo e pres, se shpresoj mos më mbani këtu? Këtu… se atje më pret fundi…fundi! Ah, tani që njoha dashurinë…

Luftë mendimesh!

Dhe, ndërsa nata, me këngën e saj të yjeve dhe të valëve përpiqej ta qetësonte, ajo vlonte nga një ankth që e lëndonte, e mundonte… Lotët që rridhnin lehtë, zor e kishin ta ngushëllonin, ta lehtësonin!”

Petro Marko