A ke frikë?
Më thuaj, a ke frikë
të vdesësh nja dhjetë herë
përpara se të jetosh si njeri i rilindur,
të marrësh frymë me tërë fuqinë e erës
e krahëve t’ua frysh pluhurin e mbledhur?
Më thuaj, a ke frikë
të zbresësh shkallëve të fatit si fitimtar
në bodrumin e harruar me fotografi fëmijërie,
të varura sikur krejt ëndrrat që s’e kaluan urën
e në pasqyrën e thyer ta shohësh veten në sy?
Më thuaj, a ke frikë
t’u kthehesh rrugëve të vjetra
ku mësove për herë të parë ç’është dhimbja
e jetës ia dhe copëzën e parë të zemrës,
njëjtë siç hidhje gurë në liqenin përbri?
Enes Lekiqi