skip to Main Content

Harta e letërsisë botërore

E them gjithmonë, i adhuroj njerëzit me ide dhe një nga më të bukurat që kam ndeshur këto ditë në rrjet është harta e letërsisë në botë. Në këtë hartë, çdo shtet përfaqësohet nga një libër, që sipas autorit përfaqëson më mirë kulturën e atij populli. Sigurisht që zgjedhjet e autorit janë tërësisht subjektive dhe çdo njeri mund të zëvendësojë titujt sipas preferencave të veta.

Nga klasikët te bashkëkohorët 
Gama e librave të përzgjedhur është e gjerë, nga klasikët te modernët, nga “Lufta dhe paqja” e Tolstoit për Rusinë, te “Hija e erës” e Carlos Ruiz Zafón, që çuditërisht ka spostuar “Don Kishotin” në Spanjë. Edhe për Italinë, autori ka zgjedhur një shkrimtar bashkëkohor, në vend të Dantes, për shembull, ka shkuar në favor të Elena Ferrantes me “Mike gjeniale”.
Sa u përket vendeve të tjera, disa shembuj janë: “Burra që urrejnë gratë” e Stieg Larsson për Suedinë; “Zoti i gjërave të vogla” i Arundhati Roy për Indinë; “Të mjerët” e Viktor Hygosë për Francën; “Iliada” e Homerit për Greqinë; “Tuneli” i Ernesto Sabatos për Argentinën; “Unë jam e kuqja” e Orhan Pamuk në Turqi; “Krenari dhe paragjykim” e Xhejn Ostin në Britani; “Kronika e zogut kurdisës” e Haruki Murakamit për Japoninë; “Të vrasësh zogun përqeshën” nga Harper Le për SHBA-në etj.

P.S. Sado u përpoqa ta zmadhoja hartën nuk arrita të lexoja veprën përfaqësuese për Shqipërinë.

Elona Qose