skip to Main Content

Shkrimtarë të njohur që kanë kryer vetëvrasje

Disa nga shkrimtarët më të njohur në botë kanë vuajtur nga probleme të shëndetit mendor, çka i ka çuar më pas drejt vetëvrasjes. Shumë prej tyre kanë pasur jetë të trazuar dhe shpesh periudha të gjata depresioni. Më poshtë do të gjeni disa syresh dhe arsyet që i çuan drejt aktit final.

Stefan Cvajg

Cvajg ishte në ekzil dhe në depresion të thellë. Ai kreu vetëvrasje bashkë me gruan, në Rio de Zhaneiro, më 22 shkurt 1942. Në letrën e lamtumirës, shkruante: “Çdo ditë kam mësuar ta dua vendin tim dhe nuk do të kërkoja ta rindërtoja jetën time në ndonjë vend tjetër. Europa e shkatërroi veten”.

Virxhinia Ulf

Shkrimtarja e famshme angleze Virxhinia Ulf vuante nga një depresion serioz që në moshën 13-vjeçare, pas vdekjes së të ëmës. Tentativën e parë për vetëvrasje e pati pas vdekjes së të atit, kur ishte vetëm 22 vjeçe dhe u hodh nga dritarja. Herë pas herë kalonte kohë në një institucion për shëndetin mendor, por gjatë gjithë jetës pati kriza paniku dhe depresion të thellë. Në vitin 1941, ajo mbushi xhepat me gurë dhe u hodh në lumë.

Ernest Hemingueji

Shkrimtari i madh amerikan jetoi një jetë të pazakontë. Vuante nga depresioni, paranoja dhe alkoolizmi gjatë gjithë jetës së tij, derisa në verën e vitit 1961 qëlloi veten me plumb në kokë.

Silvia Plath

Poetja amerikane, Silvia Plath, vuante nga çrregullime bipolare ekstreme dhe gjatë pjesës më të madhe të jetës përdori anti – depresantë. Tentoi disa herë ta vriste veten,
një herë me mbidozë ilaçesh, një herë tjetër duke u hedhur me makinë në lumë. Ditët e fundit para vdekjes depresioni i saj ishte bërë kaq i rëndë sa psikiatri frikej për gjendjen e fëmijëve të saj. Në 11 shkurt 1963, ajo mbylli derën e kuzhinës dhe hapi gazin. U gjet e vdekur me kokën brenda në furrë.

Xhek London

Edhe London vuante nga një çrregullim bipolar. Gjatë një udhëtimi në Paqësor u prek nga një sëmundje tropikale, për të cilën merrte morfinë, që rezultoi t’i shkatërronte veshkat. Shumë mendojnë se London kishte për qëllim kurimin dhe jo vetëvrasjen, por të tjerë lexojnë më thellë në disa shkrime të tij rreth vdekjes.

Përgatiti: Elona Qose