Leximi i detyruar dhe të drejtat e lexuesve
Ju kujtohet periudha shkollore, kur çdo fundviti shkollor merrnim listën me titujt e librave që përbënin atë që quhej “lexim i detyruar”? Çdo verë, duhej të lexonim librat për të cilët do të studionim vitin e ardhshëm shkollor. Jo të gjithëve na pëlqente një gjë e tillë dhe e sigurt që edhe atyre që u pëlqen leximi nuk u pëlqenin të gjithë librat. Të kuptohemi, librat për të cilat e kam fjalën janë kryevepra të letërsisë botërore, e megjithatë për disa leximi i detyruar ishte një formë torture verore, sepse për mendimin tim dhe të shumë të tjerëve kjo është mënyra e gabuar për të përçuar pasionin për letërsisë.
Nëse leximi është kënaqësi, atëherë nuk mund të jetë i detyrueshëm.
Për të promovuar leximin, shkrimtari Daniel Pennac mendon se është e rëndësishme të merren parasysh edhe të drejtat e lexuesve.
Sipas Pennac, lexuesi duhet të ndihet lirë që:
- mos të lexojë;
- të kapërcejë faqet;
- mos ta përfundojë librin;
- ta rilexojë një libër;
- të lexojë çdo gjë;
- të lexojë kudo;
- të lexojë me zë të lartë.
Lexuesit duhet të jenë të lirë ta lënë një libër në mes nëse ai libër nuk i tërheq, pavarësisht se për çfarë libri bëhet fjalë apo autorit të tij. Leximi i detyruar veçse zbeh kënaqësinë e të lexuarit, sepse siç ka thënë Borgesi, ashtu si lumturinë, edhe letërsinë nuk mund ta imponosh.
Elona Qose