skip to Main Content

Libri që vret…

Një kujtesë tjetër që kopertina të gënjen

Nëse të duhet një vend për të ruajtur sekretet sigurisht që mund të gjesh një sërë opsionesh, që nga kasafortat te dhomat e fshehta. Dikur, dikush, ka menduar të fshehë diçka, siç i themi, në dritë të diellit. 
Për këtë qëllim shërbente edhe një libër i tillë, si ky që pritet të shitet për më shumë se 11 mijë dollarë.
Këta lloj librash-falsë kanë ndarje në të cilat fare mirë mund të ruhen sende me vlerë. Nuk është ndonjë çudi që vite më përpara, libra të tillë të jenë përdorur për qëllime të errëta.
Në 1960-n, dy fëmijë në Konektikat, SHBA, endeshin nëpër dyqane duke vjedhur gjëra të vogla që cilat i fusnin në ndarjet e një libri të tillë 400 faqesh. Një dekadë më vonë, një burrë fshehu një armë në një libër me titull “Të pasurit janë ndryshe” dhe e përdori për të grabitur një bankë në Nju Jork.
Më përpara në kohë, në shekullin e 19-të, në Gjermani, një libër i tillë ishte vendi perfekt për të ruajtur shishkat me helme.

Në pamje të parë, duket thjesht si një libër i vjetër: një volum i teologut portugez Sebastião Barradas, i botuar pas vdekjes së tij, në vitin 1640.
Por kur e hap librin, e kupton që nuk është i zakonshëm, madje ka një pamje makabre. I veshur me letër të kuqe, nga brenda kopertinës, dy skelete të vegjël mbajnë një shënim në latinisht: “Statutum est hominibus semel mori” – “Të gjithë njerëzit janë të destinuar të vdesin një herë”. Ngjitur, 10 sirtarë të vegjël mbajnë shishe shumë të vogla qelqi, të gjitha me helme të ndryshme vdekjeprurëse.


Edhe pse nuk ka asnjë të dhënë që libri-fals ka vrarë ndonjëherë ndonjë njeri, shtëpia e ankandit porosit blerësin e mundshëm që ta përdorë me përgjegjësi .

Elona Qose