Të dashurosh do të thotë të mos e ndryshosh tjetrin
Çfarë do të thotë të dashurosh? Ka kaq shumë shpjegime për këtë ndjenjë sublime, që sërish fsheh pak mister.
Sipas murgut budist, aktivistit për paqen Thich Nhat Hanh, të dashurosh do të thotë të kuptosh; të dashurosh dikë do të thotë të kuptosh vuajtjet e atij personi. Duket disi dramatike, por në budizëm te vuajtjet përfshihet çdo burim pakënaqësie, qoftë fizike apo psiko-emocionale. Tek e fundit, kjo është ajo për të cilën çdo njeri ka nevojë: të kuptohet. Por edhe kur teorikisht e kuptojmë këtë, kapemi kaq shumë pas detajeve sa harrojmë pjesën tjetër. Këtë Nhat Hanh e shpjegon shumë mirë me shembullin e ujit.
“Nëse hidhni një dorë kripë në një kupë me ujë, uji nuk mund të pihet. Por nëse hidhni një grusht kripë në lumë, uji mund të përdoret pa problem, për të larë e për të pirë. Uji i lumit nuk ka fund, ai rrjedh.
Ashtu si uji, njerëzit shpirtvegjël kanë ndjeshmëri të limituar. Ata nuk i tolerojnë dot mangësitë e të tjerëve dhe rrjedhimisht, në vend që t’i kuptojnë, u kërkojnë që të ndryshojnë. Por njerëzit me zemër të madhe, ashtu si lumi, i lënë gjërat të rrjedhin. Ata mund t’i kuptojnë të tjerët dhe gjërat e vogla nuk i bëjnë të vuajnë. Ata i pranojnë të tjerët ashtu siç janë, pa u kërkuar që të ndryshojnë”.
Elona Qose