skip to Main Content

Kur letërsia përdoret në sallën e gjyqit

Autorja e “Vajza e zhdukur”, kundër avokatëve në një çështje reale në Konektikat

Xhenifer, një grua nga Konektikati, SHBA, është zhdukur që nga 24 maji i këtij viti. Policia beson se nëna e 5 fëmijëve është sulmuar në shtëpinë e saj, ku u gjetën edhe disa njolla gjaku.  Ajo ishte në një proces të vështirë divorci me të shoqin për shkak të kujdestarisë së fëmijëve.

Në muajin qershor, mediat raportuan se bashkëshorti i Xheniferit dhe e dashura e tij ishin arrestuar me akuzën e fshehjes së provave.

Që atëherë, lajmi për zhdukjen e Xheniferit dhe hamendësimet për këtë ngjarje kanë zënë faqet kryesore të mediave. Ku ndodhet Xheniferi? Është vrarë nga bashkëshorti dhe e dashura e tij?

Dy javë më parë, një intervistë e avokatit të bashkëshortit të Xheniferit bëri jehonë në mediat amerikane duke tërhequr vëmendjen edhe të një personazhi të njohur vitet e fundit në hapësirën letrare.

Avokati tha se po ndiqte një pistë të re hetimi, që e quajti skenar alla “Vajza e zhdukur”.

Në romanin shumë të suksesshëm të Xhilian Flin (Gillian Flynn), një grua organizon zhdukjen e saj duke u përpjekur të fusë në grackë bashkëshortin për vrasjen e saj.

Menjëherë ka reaguar autorja e librit.

“Është e neveritshme se si një avokat përdor si strategji mbrojtjeje historinë që kam shkruar unë. Si mund të përdorësh një ngjarje të trilluar për t’i dhënë shpjegim zhdukjes së vërtetë, tragjike, të një gruaje të vërtetë!” – është shprehur e indinjuar shkrimtarja.

“Është e dhimbshme. Nuk mund ta imagjinoj situatën në të cilën ndodhen fëmijët dhe të afërmit e Xheniferit. Më vjen shumë keq”.

 

Përgatiti: Elona Qose