skip to Main Content

supplier_147

Shtëpia botuese ALBAS është krijuar në vitin 2000 dhe që në fillimet e saj ajo ka pasur si politikë botimet shkollore. Me seli në Tiranë, Tetovë dhe Prishtinë ALBAS jo vetëm që e sjell tekstin shqip sa më afër nxënësve në hapësira të ndryshme gjeografike, por edhe e përpilon atë sipas kërkesave të veçanta të sistemeve arsimore në këto vende.

Për herë të parë ajo u shfaq në treg me revistën mujore për fëmijë “ALBA” (2000) duke realizuar 20 numra të saj; kjo revistë u ndoq me interes nga lexuesit e vegjël në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Më pas u krijua kolona “LeximPlus”, me pjesë të zgjedhura dhe komente për veprat më të njohura letrare që trajtoheshin në programet mësimore, si: “Ilida dhe Odiseja”, “ Historia e Skënderbeut”, “Lahuta e Malcisë”, “Cikli i kreshnikëve”, “Dëborat e Kilimanxharos” etj.

Dy nga veprat më qendrore të fillimeve të shtëpisë botuese kanë qenë “Letërsia moderne shqiptare” (Sabri Hamiti Tiranë, 2000), e cila përfshin zhvillimet e letërsisë shqiptare në gjysmën e parë të shek. XX, dhe “Letërsia bashkëkohore shqiptare” (Ali Aliu, Shaban Sinani, Stefan Çapaliku, Tonin Çobani; Tiranë 2001), që përfshin letërsinë shqiptare në gjysmën e dytë të shek XX.

Rëndësia e këtyre librave qëndronte në atë se ato botoheshin në një kohë mungese pas viteve ’90, të trajtimeve të moderuara kritike për letërsinë moderne shqiptare. Nga ana tjetër, ato u bënë një mjet i domosdoshëm pune për mësuesit dhe nxënësit shqiptarë, të cilët për vite nuk kishin asnjë tekst që të trajtonte letërsinë shqiptare të kësaj periudhe.

Shumë shpejt ALBAS-i e drejtoi potencialin e saj drejt botimit të teksteve shkollore; fillimisht në Maqedoni (2001) dhe në Kosovë (2004), ku fitoi shumë tituj tekstesh alternative. Për lëndët me rëndësi kombëtare si Gjuha shqipe dhe letërsia, Historia e Shqipërisë ALBAS-i ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me grupe pune, ku bëjnë pjesë autorë të njohur të këtyre tri trevave, me qëllim që këto tekste të kenë një frymë sa më të hapur mbarëkombëtare shqiptare.

Në konkurset e para (2004) të organizuara nga MASH në Shqipëri, ku u ftuan shtëpi botuese private, ALBAS-i fitoi tekstin e parë alternativ “Letërsia dhe gjuha shqipe 10”, ku u bënë përpjekjet e para për një integrim ndërlëndor, ndërsa në vitin 2005 fitoi tekstet “Gjuha shqipe 2”, “Gjuha shqipe 6” dhe “Historia 6”, të cilat sollën një frymë krejtësisht të moderuar në trajtimin shkencor e metodik të këtyre lëndëve.

Kur nisi reforma arsimore në Shqipëri në drejtim të teksteve shkollore (2006), ALBAS-i ka qenë ndër të parat shtëpi botuese që u bë pjesë e rëndësishme e kësaj reforme dhe vazhdon të jetë e tillë edhe sot. Tekstet e saj u kthyen në model, si në drejtim të përmbajtjes ashtu edhe në drejtim të cilësisë së shtypit, duke ia ndryshuar krejtësisht fytyrën teksteve shkollore të përdorura deri në atë kohë në Shqipëri.

Gjatë viteve 2005-2009 Albas ka synuar të plotësojë linjat në disa nga titujt më të rëndësishëm të kurrikulave arsimore për ciklin 9-vjeçar, si: Gjuhë shqipe, Matematikë, Dituri natyre, Biologji, Kimi, Histori, Edukatë shoqërore, Fizikë etj. Tashmë ajo operon në tregun e teksteve shkollore (Shqipëri, Maqedoni, Kosovë) me mbi 100 tituj shkollorë.

Po kështu ALBAS-i punën e vet botuese për përgatitjen e teksteve shkollore e ka shoqëruar me materiale ndihmëse për mësuesin, libra mësuesi, zbërthime planprogramesh e objektivash, teste etj. Janë botuar deri tani shumë libra mësuesi; përveç kësaj ALBAS-i ka botuar një numër të madh botimesh ndihmëse për nxënësit; ku hyn seria e botimeve enciklopedike, atlaset, fletoret e punës etj., të cilat janë përgatitur në përshtatje me lëndët që zhvillohen sot në shkollë.

Gjithashtu, një prioritet i saj vitet e fundit është të zgjerojë politikën e saj duke ndihmuar në edukimin e parashkollorëve, nëpërmjet paketave të ndryshme si: “Një hap drejt shkollës”, “Luaj me shkronjat”, posterat për mësimin e numrave, shkronjave, “ Lodrat didaktike Pino”, etj. Ndërsa një nga projektet më të mëdha të ALBAS-it, (i përuruar së pari në panairin e librit në Tiranë (në nëntor 2009) ishte përgatitja e paketës “Abetare mbarëkombëtare” e hartuar me një ekip pune specialistësh didaktë e gjuhëtarësh nga Shqipëria, Maqedonia e Kosova, një paketë kjo nga më të realizuara deri më sot për mësimin e gjuhës amtare.

Shtëpia botuese ALBAS ka një numër të madh bashkëpunëtorësh: studiues, pedagogë, punonjës shkencorë e didaktë, mësues të kualifikuar, të cilët kanë sjellë në botime koncepte bashkëkohore, shkencore dhe didaktike.

Vizioni i shtëpisë botuese ALBAS

Edukimi i komunitetit në përputhje me standardet bashkëkohore.

Misioni i shtëpisë botuese ALBAS

Shtëpia botuese Albas është bërë lider në tregun e librit shkollor. Kjo për arsye se vizioni i saj përputhet me vizionin e një biznesi që synon siguri dhe besueshmëri

Filozofia e shtëpisë botuese ALBAS

• Lidershipi:

“Guximi për të përballuar çdo sfidë që lidhet me politikat arsimore, qofshin këto dhe të mbrapshta; vendosmëria për të mos prishur rregullat e tregut konkurrues; synimi për ta mbështetur gjithnjë biznesin tonë mbi cilësinë, që siguron besueshmërinë.

• Besueshmëria:

“Ne nuk prodhojmë dhe nuk tregojmë thjesht libra. Përpiqemi që njohuritë shkencore në tekste t’i sjellim me metoda sa më didaktike dhe me një frymë moderne që synon një emancipim kulturor gjithëpërfshirës të brezit të ri.

• Bashkëpunimi:

“Jemi të hapur ndaj të gjitha vërejtjeve; i reflektojmë të gjitha ato që janë të arsyeshme. Jemi të hapur ndaj të gjitha sugjerimeve të mësuesve dhe i mbështesim ata me materiale të metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe trajnime”.

• Pasioni:

“Të përkushtuar me mish e shpirt, duke e quajtur nxënësin jo thjesht një klient çfarëdo, por një fëmijë të shtrenjtë e të rëndësishëm, nga i cili varet e ardhmja e vendit.

• Integriteti:

“Mësojmë nga më i miri, por jemi të vërtetë; vetvetja;”.

• Risia:

Gjithnjë jemi me parimin që të mos flemë mbi atë çka kemi arritur; motoja jonë është: “Kërko, imagjino, studio, krijo gjithnjë gjëra të reja”.

• Cilësia:

“Çfarë ne bëjmë e bëjmë mirë”

Slogani i shtëpisë botuese ALBAS: “Me ne më pranë dijes”

Shtëpia botuese Albas është e përbërë nga një staf profesional, i cili ka një eksperiencë të gjatë mbi 10-vjeçare në realizimin e teksteve shkollore. Gjithashtu, ky staf karakterizohet nga dëshira, vullneti dhe përkushtimi për të realizuar dhe botuar tekste sa më bashkëkohore, duke u bazuar edhe në psikologjinë dhe botën e nxënësve të moshave të ndryshme.

Në sajë të një pune të përkushtuar, aftësive profesionale dhe një bashkëpunimi të ngushtë, librat e shtëpisë botuese Albas e kanë gjetur veten denjësisht në duart e nxënësve dhe të jenë miqtë më të mirë për ta.