skip to Main Content

supplier_152

Librat rrëfejnë të fshehtat e mendjes dhe të kohës. Librat janë ato që na japin dorën pas çdo rrëzimi duke na treguar se gjithnjë ka kohë për “një fillim të ri”. Në to mund të gjesh historinë tënde të trasformuar në një tjetër kohë dhe të kuptosh se gjithçka është e njëjtë, dhe se janë vetëm kohërat, veshja dhe modelet e flokëve që kanë ndryshuar. Misioni i shtëpisë botuese “55” është të sjellë tek ju librat me gjithë filozofinë e kësaj fjale.

Për 10 vjet kemi kontribuar për këtë, duke udhëtuar në tregun bashkëkohor të librit për të sjellë tek ju rrëfimet e munguara. Jemi ndalur më tepër tek botimet historike, duke sjellë fakte dhe vështrime krejtësisht të panjohura dhe të vërteta të cilat i kanë munguar lexuesit shqiptar, të bindur se ato janë të vetmet nëpërmjet të cilave mund të kuptonim politikën dhe historinë e së shkuarës sonë të përbashkët, pas një periudhe 50-vjeçare izolimi.

Kemi sjellë udhëtimin e një prej penave më të njohura të publicistikës italiane Indo Montanelli në Shqipërinë e viteve 30-të, fuqinë e Oriana Falaçit, Politikën e Italisë në Shqipëri nëpërmjet ish-diplomatit të njohur Francesco Jacomoni, portretin e Xhanfranko Finit, nëpërmjet penës së Federico Giuglia, apo mendimin përparimtar të politikës perëndimore e veçanërisht të SHBA.

Kujtimet e Atit të madh, dëshmitarit të krimeve të komunizmit, At Zef Pllumi, janë pjesë e botimeve tona dhe mendimit katolik, të cilin e kemi përfaqësuar edhe nëpërmjet shkrimeve të Nënë Terezës dhe për Nënë Terezën apo historisë tragjike të Kishës Shqiptare të shkruar me aq vërtetësi nga Pjetër Pepa.

Shtëpia botuese “55” ka qenë një mbështetëse e opinionit të shëndoshë pro-perëndimor duke botuar veprat analistëve më të njohur. Pjesë e botimeve tona është dhe kolana “Inteligjenca” e cila drejtohet nga përkthyesi dhe studiuesi i njohur Aurel Plasari, apo dy romanet e shkrimtarit të madh Ismal Kadare “Pasardhësi” dhe “Vajza e Agamemnonit”. Shtëpia botuese “55” është fituesja e edicionit të parë të konkursit bibliofilik “Lumo Skëndo” për librin “Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005”.

Alda Bardhyli

Drejtoreshë e Shtëpisë Botuese “55”