skip to Main Content

supplier_112

E krijuar në fillim të vitit 1999 Shtëpia Botuese Horizont ka një profil modest. Ajo e nisi veprimtarinë e saj kryesisht me botime nga letërsia për fëmijë, duke u përqëndruar te krijimtaria më e mirë e autorëve të njohur shqiptarë.

Ndër botimet e para ishin përrallat “Ketri ndihmon shokun”, “Lepurushja gatuan një ëmbëlsirë”, “Lindushi parashutist” të shkrimtarit Naum Prifti, përmbledhja me tregime “Mandolina” dhe novela “Cikoja e Beni” të po këtij autori, novela “Zogu Pup” e vëllimi poetik për fëmijë “Mësoi Adi gërmën A” të shkrimtares Adelina Mamaqi, etj.

Njëkohësisht, “Horizont” ka botuar libra që ndihmojnë për të njohur periudha pak të njohura nga historia e Shqipërisë, si “Nëpër viset e Drinit”(Han), “Në oborrin e vezirit të Janinës” (Pukëvil), “Shqipëria 350 vjet më parë” (Celebi), “Shqiptari që krijoi mbretërinë egjiptiane” (A. Xhuvani); të cilat u pasuan me botime të karakterit juridik dhe mbi shtetin e të drejtës si “Njohuri mbi Ligjin” (grup autorësh), “Demokracia në Amerikë” (Tokëvili), “Flagranca dhe procesi penal” (F. Hoxhati), “I pandehuri” (J. Dhrami), “E drejta e mediave elektronike në Shqipëri” (grup autorësh), “Fjalori terminologjik për drejtësinë”, “Debat parlamentar para një shekulli” dhe “Opozita dhe mbreti i ardhshëm” (F. Rrumbullaku) etj.

Objekt i botimeve të “Horizont” janë edhe vepra të autorëve të njohur botërore si “Parajsat artificiale – opiumi dhe hashishi” (Bodler), “Njëqind vjet vetmi”, “Funerali i nënëmadhes” e “I mbyturi” (Markez), “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit” (Remark) etj.